Sport

Broja në pritje të rastit te Kosova

Dymbëdhjetë pikë në dhjetë ndeshje kishte mbledhur përfaqësuesja U-21 e Kosovës në ciklin e parë eliminator, atë për “Euro 2019”.

Kosova ishte në një grup të vështirë me Gjermaninë, Norvegjinë, Irlandën, Izraelin e Azerbajxhanin, shkruan KOHA. Shpresat e Kosovës ishin lavdëruar sidomos për paraqitje, ndërsa ishte vlerësuar se ndoshta ka mundur të fitonte edhe më tepër pikë në bazë të paraqitjeve që kishte.

Në ciklin e dytë eliminator, Shpresat e Kosovës kanë kuptuar se sa e vështirë është të mblidhen pikët. Dhe kështu rezultatet e ciklit të parë kanë fituar edhe më shumë në peshë.

Prej lojtarëve kryesorë të Kosovës U-21 në ciklin e parë eliminator ishte Rron Broja, mesfushor mitrovicas.

Në ndeshjen e parë të ciklit të kaluar, Broja ishte kapiten i Kosovës U-21. Në ndeshjet e tjera, thuajse në të gjitha, ka udhëhequr mesfushën dhe është shquar për angazhimin dhe përkushtimin.

Broja tani 24-vjeçar, javën e kaluar ishte grumbulluar me përfaqësuesen A të Kosovës. Ai ishte në stol në ndeshjen ndaj Greqisë, por nuk e fitoi rastin. Kështu mesfushori, i njohur për qetësinë e tij dhe sportivitetin, është në pritje të debutimit te Kosova A në ndeshje zyrtare.

Kalimi nga Shqipëria te Kosova

Rron Broja si futbollist është rritur te Trepça ’89, klub mitrovicas i njohur edhe për zhvillimin e lojtarëve të rinj. Është dalluar që në moshë të re dhe herët ka pasur pretendime për të prekur nivele më të larta.

Në moshë fare të re kishte kaluar te Genti në Belgjikë. Kishte luajtur për të rinjtë e këtij klubi, por pa ia dalë që të shpërthente në ekipin senior. Kishte pasur periudhë huazimi edhe te Deinze.