Sport

Maqedonia e Veriut pret ta kalojë Kosovën dhe të përballet me Gjeorgjinë në finale të plejofit

Te Maqedonia e Veriut janë të bindur se edhe në muajin nëntor do të udhëtojnë në qytetin Tbilisi të Gjeorgjisë, por me një mision tjetër - për të luajtur në finale të plejofit për “Euro 2020” dhe për ta festuar kualifikimin historik në Evropian.

Maqedonia e Veriut të martën (sot) e luan ndeshjen e dytë të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve, në udhëtim ndaj Gjeorgjisë. Këtë përballje te Maqedonia e Veriut po e vlerësojnë si ngrohje për finalen e plejofit të Ligës së Kombeve, në të cilën presin të përballen me Gjeorgjinë, transmeton KOHA.

Te Maqedonia e Veriut janë të bindur se do të shënojnë fitore në finale për ta siguruar pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian. Por Maqedonia fillimisht duhet të kalojë Kosovën në gjysmëfinale të plejofit.

Përzgjedhësi i Maqedonisë së Veriut, Igor Angelovski, të hënën në konferencën për shtyp para duelit me Gjeorgjinë, ka thënë se pret që kjo përballje të përsëritet edhe më datën 12 nëntor, kur është paraparë të luhet finalja e plejofit të edicionit të parë të Ligës D, të Ligës së Kombeve, përkatësisht ndeshja për një vend për “Euro 2020”. Angelovski shpreson që Maqedonia e Veriut ta mposhtë Kosovën në gjysmëfinale dhe beson që një gjë të tillë do ta bëjë edhe Gjeorgjia ndaj Bjellorusisë, në gjysmëfinalen tjetër.

Ai ka thënë se dëshiron të përballet me Gjeorgjinë në një ndeshje më të rëndësishme, siç është finalja e plejofit. Gjysmëfinalja mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës luhet pas një muaji, më 8 tetor në Shkup.

“Shpresoj që ne dhe Gjeorgjia t’i fitojmë ndeshjet gjysmëfinale që i kemi muajin tjetër dhe të kualifikohemi në finale për Kampionatin Evropian. Dua që ne ta mposhtim Kosovën dhe gjithashtu Gjeorgjia të fitojë ndaj Bjellorusisë, kurse në finale pres që të fitojmë dhe të sigurojmë pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian”, ka thënë Angelovski.