Sport

Mediat kroate shkruajnë se Ismajli ia fali Hajdukut 260 mijë euro

Mbrojtësi kosovar Ardian Ismajli karrierën do ta vazhdojë në Serie A te skuadra Spezia. Mediat kroate kanë shkruar se transferimi i Ismajlit nga Hajduku te Spezia ka mbetur vetëm të zyrtarizohet. Madje media të mëdha kroate kanë dhënë detaje edhe për anën financiare të marrëveshjes.

Sajti i njohur kroat, Index.hr, ka shkruar se Ismajli i ka dhuruar Hajdukut të Splitit 260 mijë euro. Për këtë dhuratë kanë shkruar edhe media nga Spliti, të afërta me klubin e Hajdukut.

“Futbollisti që katër vjet më parë nga Prishtina arriti në Split, ka bërë të lumtur splitasit me veprimin pas nënshkrimit me Spezian. Nga Hajduku kemi mësuar që klubi do të marr për Ismajlin 2,6 milionë euro dhe 10 për qind të shumës nga transferimi i ardhshëm i tij. Gjithashtu Ismajli ka hequr dorë nga pjesa e tij që i takon nga transferi, që është dhjetë për qind, përkatësisht 260 mijë euro. Këtë shumë ia ka dhuruar Hajdukut”, shkruan Index.hr.