Sport

Sophia Popova, golfistja që u rezistoi vështirësive për t’u bërë shembull

Do të futet si njëra prej historive më të mira në sportin e golfit kohët e fundit, saktësisht si një tregim i Hirushes. Përkundër të gjitha mosmarrëveshjeve, Sophia Popova e Gjermanisë është tani një kampione e madhe. Ajo është gjithashtu dëshmi e pakundërshtueshme se pse nuk duhet kurrë, kurrë të heqësh dorë nga ëndrrat e tua.

Ishte fundi i muajit të kaluar në klubin “Royal Troon” në Skoci, ku ajo nxori një fitore të papritur për të triumfuar në turneun “AIG Women Open” me vetëm dy goditje. Dhe gjëja më interesante në lidhje me këtë fitore është se Popova në atë kohë renditej në pozitën e 304-të të ranglistës botërore.

Popova - e cila ka lindur në SHBA - nuk kishte fituar as në turneun LPGA dhe as në turneun e hapur evropian për femra përpara këtij viti. Ajo e humbi kartën e turneut dhe në një moment mendoi të hiqte dorë krejtësisht nga ky sport, shkruan CNN, transmeton KOHA. Pak që ishin dëshmitarë të fitores së saj me siguri nuk do ta harrojnë fjalimin e saj të fitores, pasi Popova luftoi me lotët për të reflektuar në fitoret më të pamundura.

“Nuk e di, ende nuk mund të besoj atë sukses, sepse isha shumë e emocionuar dhe lotët nuk më lejonin. Nuk kam fjalë ta përshkruaj një arritje të tillë kur e di se sa shumë kam vuajtur në pesë apo gjashtë vjetët e fundit. Madje, isha gati edhe të largohem tërësisht nga sporti”, thotë Popova, 27-vjeçare.

Ajo karrierën si golfiste profesioniste e ka nisur para pesë vjetësh, por nuk ka shijuar ndonjë sukses deri në muajin e shkuar kur e fitoi trofeun e parë të madh dhe të çmuar në karrierën e saj.

Tejkalimi i pengesave

Dhe fjala “pengesë” mund të thuhet se është e butë kur merren parasysh të gjitha pengesat që i kishte Popova, të cilat arriti t’i tejkalojë. Ajo këtë e përshkruan si një udhëtim frymëzues, duke kapërcyer me sukses një pengesë pas tjetrës, veçanërisht sëmundjen Lyme dhe tre vjetët që iu deshën për ta diagnostikuar në të vërtetë.

“Kishte javë gjatë viteve të fundit ku sinqerisht nuk mund të ngrihesha nga shtrati për ditë të tëra”, e pasqyron Popova sëmundjen e saj. “Ishte gati sikur të kisha gjashtë sëmundje të ndryshme në të njëjtën kohë. Unë as nuk e dija se çfarë po ndodhte. Unë kisha probleme me stomakun. Kisha humbur një lloj ndjesie në krahët e mi, në këmbë. Dhe thjesht simptoma të çuditshme ku nuk dija çfarë të bëja, madje as mjekët nuk e dinin se çfarë të bënin”.

Është dashur punë e madhe dhe përkushtim që Sophia të arrijë në këtë pikë në jetën e saj, duke i kushtuar orë të panumërta hulumtimit dhe gjetjes së mënyrave më të mira jo vetëm që të bëhet e shëndetshme, por edhe për të qëndruar e shëndetshme.

“Thjesht i kushtoj shumë vëmendje ushqimit tim dhe mënyrës sesi punoj dhe kohës që i kushtoj vetes për sa u përket meditimit dhe jogës”, shtoi Popova. “Është bukur të shoh se unë mund të jem atje për pesë javë dhe të fitoj një turne pas javës së pestë. Ky është rezultati i punës së madhe”.

Golfi në epokën e pandemisë COVID-19 do të thotë se nuk kishte tifozë, por Popova të paktën arriti ta ndajë fitoren e saj të madhe në Skoci me dikë shumë të veçantë – me përcjellësin dhe të dashurin e saj, Maximilian Mehles, i cili ka qenë me të në çdo hap të rrugës së saj.