Sport

Shqipëria pa Kumbullën ndaj Bjellorusisë e Lituanisë

Qendërmbrojtësi Marash Kumbulla do të jetë mungesa e madhe e Kombëtares së Shqipërisë në dy ndeshjet e para të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve.

Shqipëria të hënën ka nisur stërvitjet pas grumbullimit në Durrës kurse Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), ka konfirmuar mungesën e Kumbullës. Kumbulla është larguar nga grumbullimi të hënën për t’u kthyer në Itali shkaku i dëmtimit, i cili është konfirmuar edhe me rezultatet mjekësore.

Ai në edicionin e fundit pati paraqitje shumë të mira në Serie A me fanellën e Veronës dhe te Shqipëria shihej si lojtar i rëndësishëm në formacionin bazë të seleksionuesit Edy Reja.

“Zyra e shtypit në FSHF konfirmon mungesën e Marash Kumbullës për këto ndeshje për shkak të një dëmtimi. Kësisoj, mbrojtësi është larguar nga grumbullimi pas marrjes së rezultateve mjekësore. Programi stërvitor i Kombëtares do të vijojë normalisht”, thuhej në njoftimin e FSHF-së.

Shqipëria më 4 shtator luan në udhëtim kundër Bjellorusisë ndërsa tri ditë më vonë në stadiumin “Air Albania” të Tiranës e pret Përfaqësuesen e Lituanisë, në kuadër të grupit të katërt të Ligës C të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Në grup gjendet edhe Kazakistani.

Në stërvitjen e parë tekniku Reja ka pasur në dispozicion të gjithë lojtarët tjerë, dhe nga afër kishte mundësinë të shihte gjendjen e tyre pas një periudhe të gjatë.

Sulmuesi Armando Sadiku është kthyer në ekip pas telasheve më lëndime dhe ka paralajmëruar pikët e plota si në ndeshje me Bjellorusinë ashtu edhe me Lituaninë.

“Kemi një grup shumë të mirë lojtarësh dhe jam shumë i bindur që do të marrim maksimumin në këto dy ndeshje duke u nisur nga dueli me Bjellorusinë. Fillimisht në këtë ndeshje do të marrim tri pikët e para dhe pastaj në ndeshjen e dytë që e luajmë në shtëpi, sepse kualiteti brenda ekipit është shumë i mirë”, ka thënë Sadiku që është rikthyer te Shqipëria pas gati 15 muajve. “Është ndjenjë e veçantë të luajë me fanellën kuqezi dhe do të mundohem që të shënoj në këto dy ndeshje për ta ndihmuar ekipin që të marrë pikët maksimale”.

Optimist para ndeshjeve me Bjellorusinë e Lituaninë është shprehur edhe mbrojtësi Qazim Laçi që është ftuar për herë të parë te ekipi A i Shqipërisë. Laçi është pjesë e Ajaccios, ekip që garon në kategorinë e dytë të Francës. Ai shpreson që përzgjedhësi Reja t’i ofrojë mundësinë e debutimit me Shqipërinë. Qendërmbrojtësi ka 14 paraqitje me ekipin U21 të Shqipërisë kurse është pjesë e ekipit francez prej vitit 2017.

“Do të ishte krenari e madhe për mua nëse do të debutoja, pasi kam gjithë këto vite që po e pres një gjë të tillë. Natyrisht, konkurrenca është e madhe por edhe unë sikurse gjithë lojtarët tjerë do të luftojë për një vend titullari”, ka thënë Laçi. “Mirëpo, gjëja më e rëndësishme është që të marrim rezultate pozitive prej këtyre dy përballjeve”.