Sport

Sfidat e Moldavisë për ndeshjen ndaj Kosovës

Te Përfaqësuesja e Moldavisë po përballen me sfidën e organizimit të ndeshjes kundër Kosovës, e cila do të zhvillohet në Itali javën e ardhshme.

Moldavia është vendase në këtë përballje dhe për shkak se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ka marrë vendim që kjo përballje të zhvillohet në stadiumin “Ennio Tardini” të Parmës. Kjo ndeshje luhet më 3 shtator në kuadër të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve të UEFA-s.

Për Moldavinë është hera e parë që e organizon një ndeshje si vendase në një shtet tjetër dhe zyrtarët e federatës moldave kanë pranuar vështirësitë në lidhje me këtë çështje, shkruan KOHA.

“Në të vërtetë kjo është hera e parë që përballemi me një situatë të tillë të pazakontë. Po, ka vështirësi, por ne po mundohemi t’i zgjidhim të gjitha. Deri më tash mund të them se kemi qenë në gjendje t’i eliminojmë të gjitha problemet që janë paraqitur”, është shprehur nënkryetari i federatës moldave, Dragos Hancu.

“Nuk është diçka e pazakontë për shkak se kam pasur parasysh që mund të hasim në ndonjë vështirësi. Vite më parë ekipi i femrave të Moldavisë pati luajtur një ndeshje në Itali dhe kemi përvojë qysh nga atëherë”.

Hancu ka folur edhe për vështirësitë e grumbullimit të lojtarëve për të filluar përgatitjet për ndeshjen me Kosovën. Ai shtoi se federata moldave është vazhdimisht në kontakte me klubet ku aktivizohen futbollistët e Moldavisë, duke kërkuar prej tyre që t’i lirojnë dhe mos t’u shkaktojnë probleme kur të kthehen.

Moldavia si shtet është në zonën e kuqe të koronavirusit dhe futbollistët që vizitojnë këtë vend duhet të karantinohen kur të kthehen tek klubet e tyre në vendet e tjera evropiane. Pikërisht për këtë arsye te Moldavia po frikësohen se mund të kenë mungesa në dy përballjet e muajit të ardhshëm.

“Legjionarët po mblidhen ngadalë, ende nuk jemi kompletuar. Kemi lojtarë që luajnë nëpër Evropë dhe të cilët nëse vizitojnë Moldavinë duhet patjetër të futen në karantinë tek klubet e tyre. Shteti ynë shihet si zonë e rrezikshme për shkak të koronavirusit. Ne jemi vazhdimisht në kontakt me këto klube duke u përpjekur të rregullojmë situatën që lojtarët tanë mos të kenë probleme”, shtoi Hancu. “FIFA përkohësisht ka ndryshuar rregullat , sipas të cilave klubet mund të mos lirojnë lojtarët nëse besojnë se rreziku i prekjes me koronavirus është i madh apo i urdhërojnë të karantinohen pas kthimit. Ne po negociojmë me të gjithë dhe shpresoj t’i kemi të gjithë lojtarët në dispozicion. Deri më tash nuk kemi probleme, por situata mund të ndryshojë në momentin e fundit”.

Tri ditë pas ndeshjes me Kosovën, Moldavia do të përballet me Slloveninë. Nënkryetari i federatës, Hancu, ka bërë të ditur se futbollistët dhe pjesa e stafit do të testohen rregullisht për koronavirus, si dhe ka zbuluar se masat do të jenë të rrepta gjatë grumbullimit, ku lojtarëve nuk do t’iu lejohet dalja në asnjë mënyrë.

“Të gjithë do të testohen tërë kohën. Kur lojtarët do të mblidhen, ata nuk do të mund të largohen nga baza si dhe nuk do t’iu lejohet kontakti me askënd nga jashtë. Për secilin lojtar do të jetë nga një dhomë dhe masat janë shumë të rrepta sepse duhet t’u përshtatemi protokolleve të FIFA-s”, ka shtuar Hancu duke thënë se Moldavia të hënën (31 gusht) do të niset drejt qytetit të Parmës.

Edhe futbollisti më i mirë i Moldavisë, Artur Ionita, ka folur për ndeshjen me Kosovën që e ka vlerësuar lart. Ai ka thënë se Kosova kishte paraqitje të mira në edicionin e parë të Ligës së Kombeve por ka shtuar se Moldavia synon fitore për një start të suksesshëm. Ionita së fundi është transferuar nga skuadra e Cagliarit te Benevento për një milion euro dëmshpërblim. Ionita pranon se i vjen shumë keq që ndeshja nuk zhvillohet në Chisinau, por në Parma të Italisë.

“Është për të ardhur keq që loja nuk do të luhet në Chisinau, dhe është e trishtueshme që tifozët nuk mund të vijnë në këtë lojë. Edhe në Parma shumë moldavë do të vinin në ndeshje për të na mbështetur. Në përgjithësi, koha e tanishme është shumë e çuditshme. Disa lojtarë kanë luajtur apo stërvitur, ndërsa të tjerët nuk kanë luajtur fare”, ka thënë Ionita. “Kosova ka treguar se është një ekip i mirë, por ne do të përpiqemi që ta fillojmë me sukses sezonin e ri të Ligës së Kombeve”.

Ndërkohë Përfaqësuesja e Kosovës tri ditë pas ndeshjes me Moldavinë do të përballet me Greqinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.