Sport

Prishtina dorëzon lëndën në UEFA, pret vendimin e saj

Klubi i futbollit Prishtina ka dorëzuar lëndën e saj në Komisionin e Etikës dhe Disiplinës të UEFA-s lidhur me ndeshjen kundër Lincolnit, e cila u anulua të shtunën, pasi tetë lojtarë të skuadrës kosovare rezultuan pozitivë me koronavirus.

Të njëjtët lojtarë në Kosovë kishin dalë negativë, në testet që i kishte kryer Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Rasti i njëjtë ekipit nga kryeqyteti i ndodhi edhe në udhëtimin e parë, ku në Kosovë të gjithë dolën negativë, kurse në Gjilbraltar tetë lojtarë rezultuan pozitivë me COVID-19.

FC Prishtina pretendon se ka të drejtë dhe do ta presë vendimin final të organeve kompetente të shtëpisë së futbollit evropian.

KOHA ka provuar të marrë një përgjigje zyrtare nga Prishtina, duke kontaktuar personat kyç në klub, të dielën, por askush nuk ka dashur të flasë në lidhje me lëndën që është dërguar në UEFA.

Menaxheri i Përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala, që e mori rolin e përfaqësuesit zyrtar të Prishtinës në udhëtimin e dytë në Gjibraltar, si dhe Shkenca Goçi, administratore e FC Prishtina, e kanë përgatitur materialin e “bardhekaltërve” në detaje, të cilin e kanë dorëzuar te klubi, i cili e ka nisur në adresën e UEFA-s. Të kontaktuar nga KOHA, Bajram Shala dhe Shkenca Goçi nuk kanë dashur të flasin për atë që është shkruar në lëndë dhe se çka ka kërkuar Prishtina, me pretekstin se nuk janë të autorizuar nga klubi të deklarohen.

Por, pavarësisht kësaj, Shala kishte folur për sajtin zyrtar të “bardhekaltërve” me t’u kthyer në Kosovë. Ai ka insistuar se vendimi për anulimin e ndeshjes nuk ka qenë i UEFA-s, por i autoriteteve të Gjibraltarit. Ndërkohë, të kundërtën e thotë klubi i Lincolnit, i cili pretendon se vendimi ka ardhur nga UEFA.

Shala e sheh si sukses që nuk kanë lejuar që vendimi përfundimtar të merret të shtunën.