Sport

Imeri e Krasniqi, talentet me vlerë të madhe

Në listën e dhjetë talenteve të Superligës së Zvicrës në futboll, të publikuar nga uebfaqja “sport.ch”, zënë vend edhe shqiptarët Kastriot Imeri dhe Bledian Krasniqi.

Kastriot Imeri është 20-vjeçar dhe luan si mesfushor. Vlera e tij në treg momentalisht është 1.1 milion euro.

Ai është pjesë e skuadrës së Servettes, që edicionin e kaluar përfundoi në vendin e katërt. Ka kaluar nga ekipi i të rinjve në ekipin e parë në vitin 2017. Në 24 ndeshje në Superligën e Zvicrës, ka shënuar një herë, ndërsa ka kontribuuar me gjashtë asistime. Me klubin zviceran ka kontratë deri në vitin 2021, raporton KOHA.

Mesfushori Krasniqi është 19-vjeçar dhe është pjesë e skuadrës së Zurichut. Vlera e tij në treg është 500 mijë euro. Ai në sezonin e kaluar luajti për skuadrën e Wilit në rangun e dytë të futbollit zviceran. Në 34 paraqitje në Challenge League dhe në Kupën e Zvicrës, shënoi dy gola dhe dhuroi një asistim. Krasniqi edhe vitin tjetër pritet të jetë i huazuar te Wili dhe do të luajë nën urdhrat e trajnerit Ciriaco Sforza. Vlerësohet se do të ketë një karrierë shumë të mirë edhe në elitën e futbollit zviceran.

Që të dy kanë kaluar nëpër të gjitha kategoritë e Përfaqësueses së Zvicrës.

Nuk janë vetëm Imeri e Krasniqi që paraqiten në futbollin zviceran. Ka edhe shumë shqiptarë tjerë. Megjithatë, futbolli i Zvicrës vlerësohet në përgjithësi si trampolinë për të kaluar në një ligë tjetër më të fortë evropiane, sidomos për lojtarët e rinj.