Sport

Pnishi e sheh Feronikelin si mundësi për t’u kthyer te Kosova

Descriptive Text

Alban Pnishi është i lumtur që i është bashkuar ish-kampionit të Kosovës, Feronikelit. Ngul këmbë se ka bërë zgjedhje të mirë, meqë e sheh si mundësi të mirë Feronikelin për t’u kthyer sërish te Përfaqësuesja e Kosovës.

Për Kosovën, Pnishi ka luajtur shtatë ndeshje që nga viti 2016. Qendërmbrojtësi, të shtatë ndeshjet për Kosovën i ka luajtur në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”. Atëbotë luante te ekipi i Superligës së Zvicrës, Grasshoppers, nivel që shpreson të kthehet sërish.

“Sigurisht se dëshira është të kthehem në ekipin e Kosovës. Ka qenë kënaqësi që kam luajtur për vendin tim. Por, unë do të mundohem dhe do të punoj për t’u kthyer sërish të luaj për Kosovën. Kosova ka krijuar një ekip të fortë, me konkurrencë të madhe, dhe tani nuk jam në situatën që duhet me çdo kusht të më thërrasë se do t’i luaj dy apo tri lojë të mira. E di që Kosova ka bërë lojtarë të mirë që luajnë jashtë vendit, por unë jam i hapur dhe i gatshëm kurdo që vendlindja ime ka nevojë”, ka thënë Pnishi të mërkurën për KOHËN. Ai me Feronikelin ka nënshkruar kontratë për një vit.

Pnishi insiston se ka mundur të kalojë në ndonjë klub, apo shtet tjetër. Por, ai është i lumtur që ka vendosur të kthehet të luajë në vendlindje. Ai ka lindur në Gjakovë, derisa është rritur në Zvicër.

Në Zvicër ka luajtur për Wohlenin, derisa nga viti 2015 deri në vitin 2018 ka qenë pjesë e Grasshoppersit. Ai së fundi ishte në Izrael te Bnei Yehuda, derisa në këtë shtet ka luajtur edhe për Bnei Sakhninin. Gjashtë muajt e fundit ka qenë pa skuadër.

“Kam pasur mundësi tjetër në Shqipëri, por vendosa të luaja në vendlindje, në Kosovë. Feronikeli është zgjedhje e mirë, ka një histori të mirë dhe besoj se do të luftojmë për titull. Kjo është edhe arsyeja pse unë vendosa të luaj për Feronikelin. Kam biseduar me drejtuesit e klubit, të cilët ma kanë treguar planin. Unë shpresoj që sa më shpejt të ambientohem. Mezi pres ta nis kampionatin me Feronikelin, për ta ndihmuar drejt synimeve. Nuk kam luajtur gjashtë muaj, por për shkak të pandemisë u desh të largohem. Tani për mua nis një histori e re me synime të reja”, ka theksuar Pnishi.

Interesim për Pnishin kanë shprehur edhe Kukësi dhe Ballkani. Por, Pnishi pranon se nuk ka shumë informata për futbollin kosovar.

“Kur luan në një shtet tjetër është problem t’i ndjekësh ndeshjet, por rezultatet i kam parë rregullisht. Tash e kam mundësinë nga afër ta shoh, por mendoj se është pozitive për mua sepse luaj në vendin tim. Unë jam i kënaqur me karrierën time, por sigurisht se kam pritur të luaj edhe më lart. Megjithatë, unë do të mundohem të punoj për t’u kthyer sërish në nivel të lartë. Unë do të punoj fort për të qenë 100 për qind i gatshëm. Besoj se do të kemi një skuadër të fortë për të arritur sukses”, ka thënë Pnishi.