Sport

Drita mbështetet në cilësi për të kaluar në raundin tjetër të “Championsit”

Dy edicione më parë, Drita e Gjilanit e pati kaluar pa vështirësi raundin parakualifikues të Ligës së Kampionëve. I fitoi të dyja ndeshjet me rezultat të thellë.

Të njëjtën gjë pret ta bëjë edhe të martën, ku në finale të turneut që është caktuar të zhvillohet në Nyon të Zvicrës do të përballet ndaj kampionit të Irlandës së Veriut, Linfield. Ky i fundit të shtunën eliminoi Tre Fiorin e San Marinos (2:0), kurse Drita kampionin e Andorrës, Inter d’Escaldes (2:1).

Megjithatë, te skuadra e Dritës e pranojnë se përballja ndaj irlandezëve do të jetë më e vështirë.

“Jam i kënaqur me kalimin tutje, duke e parë situatën që është krijuar këto ditë e në veçanti të ditës së ndeshjes, ku për shkak të rastit të Fidanit është dashur që edhe shoku tij i dhomës të izolohet. Ka qenë mjaft stresuese, por në asnjë moment futbollistët nuk lejuan dhe nuk lëshuan përqendrimin në këtë ndeshje, sado që ishin të mërzitur për mungesën e tyre. Kemi mundur që ta mbyllim më herët dilemën e fituesit, por në situatën që ishim na mungoi qetësia. Megjithatë, më vjen mirë që vrapuan shumë dhe e deshën fitoren. Krijuam shumë raste të mira shënimi dhe ia dolëm ta fitojmë ndeshjen”, ka thënë të dielën për KOHËN trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu.

Në fakt, telashet me teste Dritën e përcollën edhe në Nyon të Zvicrës. Dritës i është dashur t’i bëjë ritestimet për 17 anëtarë, për t’u konfirmuar se nuk ka të prekur me COVID-19. Ndërsa, edhe një testimi për koronavirus Drita i është nënshtruar me të ateruar në Aeroportin e Gjenevës për shkak se Zvicra nuk i njeh testet e Kosovës.

Pak orë para se të niste ndeshja, Fidan Gërbeshi doli pozitiv në testin për koronavirus dhe bashkë me të u izolua edhe Bujar Shabani. Të dy futbollistët nuk do të paraqiten edhe për ndeshjen finale kundër Linfieldit, skuadër që ka përvojë të madhe në garat evropiane.

Një testim të tretë brenda pak ditësh, në bazë të protokollit të UEFA-s, futbollistët e Dritës do ta bëjnë para finales që do të zhvillohet më 11 gusht, po ashtu në Nyon, kurse fituesi do t’i vazhdojë garat në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Për skuadrën e Dritës kjo është hera e dytë që paraqitet në “Champions”.

Në fakt, Drita para dy edicionesh e kishte fituar turneun preliminar të mbajtur në Gjibraltar, përpara se të eliminohej në raundin e parë kualifikues nga skuadra elitare e Suedisë, Malmo.

Nuhiu thotë se i kanë lënë prapa problemet për ta arritur kalimin tutje në “Champions”.

“I kemi lënë prapa gjithë ato telashe, sepse nuk kemi kohë të mendojmë për ato, tani e kemi ndeshjen e radhës. Do të na mungojnë Gërbeshi dhe Shabani, por patjetër që futbollistët tjerë do ta japin maksimumin për ta arritur kalimin tutje. Do të mundohemi që këto ditë të punojmë për t’i gjetur dobësitë e tyre. E dimë që nuk do të jetë ndeshje e lehtë. I njohim mirë sepse kanë vite që luajnë në këtë nivel të garave dhe kanë ekip me përvojë, prandaj duhet të jemi të vetëdijshëm, por unë besoj në cilësinë dhe grupin”, është shprehur Nuhiu.