Sport

Mavraj thotë se vet futbollistët janë fajtorë për humbjen nga Luksemburgu

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj, thotë se vet futbollistët janë fajtor për paraqitjet e dobëta të kuqezinjve pas Evropianit, dhe për humbjen 2 me 1 në miqësoren ndaj Luksemburgut.

“Nëse ne nuk japim 100 për qind në çdo ndeshje atëherë rrezikojmë gjithmonë për të humbur. Ky është problemi i skuadrave të vogla që kur arrijnë një synim, sikur 1 për qind më pak të japin rezultatet nuk janë të mira”, ka thënë Mavraj, raporton TCH.

Ai thotë se të gjithë lojtarët, duke filluar që nga ai, duhet të pyesin veten nëse kanë dhënë maksimumin në fushën e lojës.

Për sa i përket konkretisht rezultatit ndaj Luksemburgut, Mavraj thotë se ndikuan disa faktorë.

“Kemi krijuar raste ndaj një skuadre që luante mbrapa. Kishim mundësi ta mbyllnim ndeshjen. Pjesën e parë kemi krijuar raste dhe nuk jemi rrezikuar mbrapa. Na ka munguar cilësia sot në përgjithësi. Jemi të lodhur, të fokusuar të Izraeli. Pastaj çdo lojtar nuk ka dhënë më të mirën sot”, tha Mavraj.

Në fund, ai u shpreh se ndaj Izraelit do të jetë një kombëtare krejtësisht tjetër.