Sport

Liga e Kampionëve dhe e Evropës, të gatshme për rifillim

Pas një pushimi të detyruar prej gati pesë muajsh, Liga e Kampionëve dhe Liga e Evropës do të rinisin këtë javë për t’i dhënë fund këtij edicioni të trazuar. Të dy garat u pezulluan në mesin e muajit mars pasi pandemia e koronavirusit e goditi kontinentin e Evropës, duke detyruar UEFA-n ta shtyjë për një vit turneun “Euro 2020”, shkruan AFP.

Në fakt, UEFA nuk ishte e sigurt nëse Liga e Kampionëve dhe Liga e Evropës do të mund të rifillonin, por pas rinisjes së ligave evropiane, erdhi edhe vendimi për vazhdimin e këtyre garave. Për UEFA-n, është e rëndësishme që dy garat historike të Evropës të mbyllen për këtë edicion në fushë, ndonëse me rregulla paksa më të pazakonta. Në fund, zgjidhja ishte që të vendosen dy mini-turne, duke bashkuar të gjitha ekipet në një vend nga çerekfinalja e tutje, me të gjitha duelet që do të vendosen me nga një ndeshje dhe atë prapa dyerve të mbyllura.

Dhe, kështu Liga e Kampionëve do të transferohet në Lisbonë të Portugalisë për “Final 8”, duke filluar më 12 gusht dhe duke përfunduar me finalen që do të zhvillohet në “Estadio da Luz” të Benficas më 23 gusht. Europa League, ndërkohë, do të luhet në një seri vendesh në Gjermaninë Perëndimore, me serinë e ndeshjeve çerekfinale që nisin më 10 gusht dhe finalen që do të zhvillohet në Koeln, më datën 21 gusht.

“E besova që në momentin e parë”, pranoi presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, kohët e fundit kur u pyet nëse ai ndonjëherë dyshonte se garat nuk mund të përfundonin. “Gjithmonë duhet të jesh optimist dhe nëse ndodh diçka e tillë, duhet të kesh gati një plan. Në kohën e tashme, ne do të luajmë ndeshje pa spektatorë deri në njoftimin e mëtejshëm. Ne nuk do të marrim ndonjë rrezik”.

Sidoqoftë, nuk ka asnjë dyshim për ndryshime të mëtejshme që janë bërë në formatet, pavarësisht shqetësimeve për një rritje të çështjeve me COVID-19 brenda dhe rreth Lisbonës, dhe shqetësimeve të fundit në Gjermani për një rritje të rasteve atje. UEFA, gjithashtu, kohët e fundit insistoi se ishte “e sigurt” se nuk do të kishte më vonesa, pavarësisht rasteve të koronavirusit që u shfaq në mesin e lojtarëve të Real Madridit e Sevillas. Në fakt, ishte një rast për UEFA-n “o tani ose kurrë”.

Në të vërtetë, raundi paraprak i Ligës së Kampionëve për sezonin e ardhshëm fillon këtë të shtunë, në të njëjtën ditë kur zhvillohen ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales ndërmjet Bayernit e Chelseat dhe Barcelonës e Napolit. Para kësaj, Manchester City do të përballet në shtëpi me Real Madridin, ekip të cilin e mposhti në ndeshjen e parë 2:1, të zhvilluar në stadiumin “Santiago Bernabeu”. Fituesi i këtij dueli, do të përballet me fituesin e ndeshjes Juventus – Lyon në çerekfinalen e Lisbonës. Juventusi është në disavantazh 1:0 pas humbjes në ndeshjen e parë të luajtur në Francë.