Sport

Fakte për finalen e Ligës së Kampionëve

Më poshtë janë disa fakte dhe shifra para finales së Ligës së Kampionëve mes Juventusit dhe Real Madridit, që luhet të shtunën mbrëma në Cardiff.

- Kampioni i Italisë, Juventusi, ka fituar titullin e Evropës dy herë: më 1985 dhe 1996.

- Kampioni i Spanjës, Real Madrid, ka fituar këtë trofe njëmbëdhjetë herë: 1956, 1957, 1958, 1959, 1960, 1966, 1998, 2000, 2002, 2014 dhe 2016.

- Dy ekipet janë përballur në garën elitare të klubeve në Evropë në 18 raste, ku kanë nga tetë fitore secila dhe dy ndeshje kanë përfunduar baras, shkruan Reuters.

- Real Madridi ka shënuar 499 gola në këtë garë dhe do të bëhet ekipi i parë në histori të garës që arrin në shifrën e 500 golave, nëse shënon një gol në finale.

- Nëse Real Madridi mposht Juventusin, atëherë do të bëhet skuadra e parë që e mbron titullin në formatin Liga e Kampionëve, që ka hyrë në fuqi nga viti 1992. Po ashtu do të jetë skuadra e parë që mbron titullin e Evropës që kur këtë e arriti Milani në vitin 1990, përcjell Koha Ditore.

- Juventusi do të bëhet skuadra e nëntë evropiane që arrin "tripletën" në stinor nëse mposht Realin në finale, pasi e ka fituar tashmë titullin e Italisë dhe Kupën e Italisë.

- Juventusi synon të bëhet skuadra e parë që ngre trofeun pa pësuar humbje që kur këtë e arriti Manchester Unitedi në vitin 2008.

Forma e Ronaldos

- Sulmuesi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, këtë stinor është bërë lojtari i parë që ka arritur në shifrën e 100 golave në Ligën e Kampionëve.

- Portugezi po ashtu ndan pozitën e parë me Lionel Messin e Barcelonës me shtatë "hat-trick" në këtë garë.

- Ronaldo mund të bëhet lojtari i parë në histori të Ligës së Kampionëve që ka shënuar "hat-trick" (tregolësh) në tri raunde rresht të fazës nokaut të kësaj gare. Kishte shënuar në çerekfinale ndaj Bayern Muenchenit dhe gjysmëfinale ndaj Atletico Madridit.

Finalja

- Finalja e Ligës së Kampionëve këtë vit do të luhet në "Millennium Stadium" të Cardiffit në Uells, që është hapur në vitin 1999 për Kupën e Botës në ragbi.

- Stadiumi ka kapacitet bruto 73.445 dhe kapaciteti neto llogaritet 66 mijë.

- Finalja do të transmetohet në 200 vende, ku pritet të ketë një shikueshmëri prej 160 milionë teleshikuesve.

- Të dy ekipet po luajnë në finalen e gjashtë në formatin Liga e Kampionëve, duke barazuar rekordin e Milanit.

- Gjermani Felix Brych do të referojë finalen. Brych 41-vjeçar ishte në drejtim të finales së Ligës së Evropës mes Sevillas dhe Benficas në Torino në vitin 2014.

Rishikimi i stinorit

- Ky stinor i Ligës së Kampionëve ka parë 375 gola të shënuar në 124 ndeshje, me një mesatare prej 3.02 gola për ndeshje.

- Mesatarja më e lartë e kaluar ishte ajo në stinorin 2012/13 kur u shënuan 368 gola në 125 ndeshje, pra mesatare prej 2.94 golave.

- Ndeshja me më së shumti gola këtë stinor ishte ajo mes Borussia Dortmundit dhe Legias së Varshavës në fazën e grupeve më 22 nëntor. Dortmundi fitoi me shifrat 8:4.

- Dortmundi po ashtu ka shënuar më së tepërmi gola në fazën e grupeve këtë stinor, 21 sish.

- Nëse përfshihen edhe ndeshjet e fazës nokaut, atëherë Real Madridi është ekipi me më së tepërmi gola këtë stinor, 32 sish.

Lista e golashënuesve më të mirë të këtij edicioni

Lionel Messi (Barcelona) 11 gola

Cristiano Ronaldo (Real Madrid) 10

Robert Lewandowski (Bayern M.) 8

Edinson Cavani (PSG) 8

Pierre-Emerick Aubameyang (Dortmund) 7