Sport

Masat e reja prishin planet e basketbollistëve të Kosovës për tubim

Plani i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), që Përfaqësuesja A (meshkujt) të grumbullohet në pjesën e muajit gusht për përgatitje njëjavore me përzgjedhësin Christos Marmarinos, sipas të gjitha gjasave nuk do të realizohet për shkak të situatës me pandeminë COVID-19 në vend. Në fakt, të gjitha aktivitetet e planifikuara nga FBK-ja, për muajin e ardhshëm mund të shtyhen për një kohë të pacaktuar. Këtë e kanë pranuar edhe zyrtarët e FBK-së për gazetën, të mërkurën.

Sebep për këtë është bërë vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës që ka ndërmarrë një sërë masash të reja për luftimin dhe parandalimin e përhapjes së koronavirusit, të cilat janë miratuar të hënën. Njëra prej këtyre masave e ka prekur direkt edhe sportin, pasi ka të bëjë me pezullimin e aktiviteteve në ambiente të mbyllura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

“Në vazhdim të masave të tjera të luftimit dhe parandalimit të COVID-19, Qeveria ka pezulluar veprimtarinë e çerdheve publike dhe private; aktivitetet rekreative, kulturore dhe sportive të mbyllura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhej ndër të tjera në njoftimin qeveritar.

Shkaku i këtij vendimi të Qeverisë, Federata e Boksit të Kosovës (FBOXK), është detyruar ta shtyjë për kohë të pacaktuar turneun ndërkombëtar “Lah Nimani” që ishte paralajmëruar të mbahet këtë të shtunë (18 korrik). Krahas FBOXK-së, edhe Federata e Volejbollit të Kosovës (FVK) ka reflektuar me pezullimin e garave në Superligën B për të dyja konkurrencat edhe pse deri në fund të këtij edicioni kanë mbetur edhe tri xhiro të pazhvilluara. E duket se shtyrjes së aktivitetit të paralajmëruar për muajin e ardhshëm nuk do t’i shpëtojë as Federata e basketbollit. Në të vërtetë, FBK-ja kishte planifikuar që muajin tjetër të bënte edhe grumbullimin e parë të ekipit A të femrave krahas atij të meshkujve. FBK-ja, javë më parë, ka njoftuar për themelimin e ekipit A të femrave, që për herë të parë do të paraqitet në garat zyrtare të FIBA-s, saktësisht në FIBA Kampionatin Evropian për Shtetet e Vogla.