Sport

Varane: Reali nuk kontrollon sistemin VAR

Descriptive Text

Raphael Varane ka mohuar vlerësimet se sistemi VAR ka favorizuar Real Madridin, pasi gjiganti i La Ligas i është afruar titullit me fitore ndaj Alavesit, të premten mbrëma.

Një penallti e Karim Benzemas dhe një gol i Marco Asensios i dhanë Realit fitoren 2:0 ndaj Alavesit. Tri xhiro para fundit, Reali ka katër pikë më shumë se Barcelona.

Madridit i është dhënë penallti në ndeshjen e tretë rresht, ndërsa është dashur një vlerësim me asistim të sistemit VAR pasi fillimisht goli i Asensios ishte anuluar pa të drejtë për pozitë jashtë lojës. Benzema, që asistoi, kishte qenë në pozitë të dyshimtë.

Mbrojtësi Varane, që ka ndihmuar Madridin të mos pësoj gol në ndeshjen e pestë rresht, nuk ka pëlqyer fjalët se vendimet e marra përmes VAR-it i kanë ndihmuar skuadrës së tij.

“Zhurma e jashtme nuk ka rëndësi për ne. Ne jemi të fokusuar që të fitojmë dhe të japim çdo gjë në fushë”, ka thënë mbrojtësi për Movistar.

“Ne nuk e kontrollojmë VAR-in, ne kontrollojmë përpjekjet dhe përkushtimin që tregojmë në fushë”.

Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu ka akuzuar video-teknologjinë për favorizim të Realit, pas një fitore të madrilenëve javën e kaluar.