Sport

Zidane: Juve është e fortë, jo vetëm në mbrojtje

Descriptive Text

Në konferencën për shtyp para finales së madhe të Kardifit mbrëmjen e së shtunës, trajneri i Realit të Madridit, Zinedine Zidane ka dashur t’i mbajë me këmbë në tokë lojtarët e tij dhe nuk i ka kursyer fjalët e mira për skuadrën e Juventusit.

“Juventusi është shumë i fortë dhe jo vetëm në fazën mbrojtëse. Ata gjithmonë kanë pasur një skuadër të fortë, por kjo mund të jetë edhe më shumë”, ka thënë ai.

Zidane është pyetur nëse mund ta vlerësojë Realin si favoritë në këtë finale, ashtu siç bëri më herët në konferencën për shtyp Allegri, Buffon dhe Alves. Ai nuk e ka pranuar aspak këtë dhe ka thënë se pavarësisht presionit që është mbi Realin, ndeshja është e barabartë, transmeton tch.

“Ne jemi gati, kemi punuar shumë për të qenë në këtë finale. Presioni është gjithmonë mbi ne pasi jemi Reali i Madridit dhe të gjithë thonë se ne jemi favoritë, por nuk është kështu. Në këtë finale mund të ndodhë gjithçka", ka thënë trajneri i Realit.