Sport

Qeveria ua lejon shikuesve hyrjen në stadiume, FFK-ja “jo”

Klubi më i trofeshëm i futbollit, Prishtina, doli shpejt me një njoftim të martën mbrëma, se ndeshjen e saj kundër kampionit në fuqi të Kosovës, Feronikelit, mund ta zhvillojnë me praninë e shikuesve në tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri”.

Reagimi i tyre erdhi pak minuta pasi Qeveria e Kosovës shfuqizoi vendimin që obligonte zhvillimin e aktiviteteve sportive pa praninë e publikut. Në fakt, të martën në mbrëmje Ekzekutivi e ka votuar propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili do të hyjë në fuqi që nga 28 qershori. Sipas Zemajt, ky vendim ka ardhur pas rekomandimeve që ka marrë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Superliga e Kosovës në futboll, hendboll dhe volejboll janë sportet e vetme kolektive që kanë nisur aktivitet për t’i mbyllur sezonet.

Që nga lejimi i aktiviteteve sportive ndeshjet janë luajtur pa praninë e shikuesve, kurse nga e diela e 28 qershorit, nuk do nuk do të ketë më ndalesa nga organet shtetërore dhe u mbetet federatave përkatëse që të vendosin lidhur me këtë çështje. Por në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) hapjen e stadiumeve për shikues e shohin të rrezikshme. E Prishtina po shpresonte që ndeshjen kampionale kundër Feronikelit në stadiumin “Fadil Vokrri” ta luante me tribuna të mbushura, më 29 qershor, të hënën. Për këtë edhe e kishte bërë postimin në rrjetin social Facebook.

“Prishtina - Feronikeli pritet të luhet me shikues. Pas vendimit të fundit të Qeverisë, e cila parasheh shfuqizimin e masave kundrejt grumbullimit në masë, nga 29 qershori, e hënë, ditën kur Prishtina e pret Feronikelin nga ora 19:00, mund të zhvillohet me praninë e shikuesve. Megjithatë, klubi ynë pret vendimin përfundimtar nga organet gjegjëse pranë FFK-së dhe për më hollësisht do t'ju njoftojmë me kohë”, ishte njoftimi i Prishtinës.

Mirëpo, jo vetëm ndeshjen me Feronikelin, por edhe ndeshjet e tjera deri në fund të këtij edicioni që u pezullua në mars për shkak të pandemisë dhe rifilloi në fillim të këtij muaji, sipas të gjitha gjasave do t’i luajë prapa dyerve të mbyllura.

Në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) janë të vendosur që t’u përmbahen udhëzimeve që i kishin përpiluar para rifillimit të garave, që ndeshjet e mbetura të këtij edicioni të zhvillohen pa praninë e shikuesve në tribuna. Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, thotë se është e rrezikshme kthimi i shikuesve në tribuna në këtë kohë pandemie kur numri i të infektuarve me koronavirus po shtohet nga dita në ditë.

Ai thotë se primare për FFK-në është shëndeti i të gjithëve dhe synim mbetet që ky edicion të mbyllet pa asnjë futbollist të prekur nga virusi, ashtu siç rifilloi. Para rifillimit të garave, të gjithë futbollistët e ekipeve elitare iu nënshtruan testimit për koronavirus dhe rezultuan negativë.

“Ne si federatë nuk besoj se do të lejojmë kthimin e tifozëve në tribuna këtë edicion, pasi është e rrezikshme në këtë kohë kur çdo ditë po kemi numër të madh të rasteve të prekura me koronavirus. Këtë edicion duhet ta mbyllim kështu siç e kemi rinisur, prapa dyerve të mbyllura për të ruajtur shëndetin e të gjithëve për shkak se kjo është shumë e rëndësishme”, ka insistuar Salihu. “Edhe Komiteti Ekzekutiv do ta ketë një mbledhje për këtë çështje, por ne po mendojmë që tifozët do të mund të ktheheshin prej edicionit të ri. Ndoshta klubet do të dëmtoheshin në aspektin ekonomik, por duhet të jemi të kujdesshëm. Shpresoj që të gjithë të kenë mirëkuptim për këtë”.

Drita përkrah çdo vendim të FFK-së

Në fakt, prejse kanë rifilluar garat në elitën e futbollit kosovar, shumica e klubeve dhe tifogrupeve vazhdimisht kanë kërkuar që të hapen dyert e stadiumeve. Garat e futbollit në Kosovë u patën pezulluar më 13 mars kur u mor vendim për ndalimin e të gjitha aktiviteteve sportive pas rasteve të para të prekura me pandeminë COVID-19. Futbolli ishte sporti i parë që iu rikthye aktivitetit në fillim të këtij muaji, me skuadrat që rifilluan me stërvitje grupore në maj.

Te Drita pranojnë se janë të penalizuar për shkak se nuk e kanë përkrahjen e fuqishme të “Intelektualëve”, por insistojnë se do të respektojnë çdo vendim që del nga FFK-ja. Drejtori sportiv, Valon Zymberi, thotë se kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë, por tani fjalën kryesore në lidhje me këtë çështje do ta ketë Federata që edhe është përgjegjëse për mbajtjen e garave. Dhe, uron që tifozëve t’u lejohet prania në stadium.

“Ne si klub kemi qenë të penalizuar nga kjo pandemi në shumë aspekte, e sidomos në aspektin e mungesës së tifozëve tanë në tribuna, të cilët na kanë mbështetur në çdo ndeshje. Ne si klub e mirëpresim rikthimin e tifozëve sepse për ne ata janë lojtari ynë i 12-të. Faktikisht, ne luajmë për tifozët”, ka thënë Zymberi. “Ndërsa sa i përket vendimit nëse do të lejohen apo jo, atëherë kjo varet nga FFK-ja, sepse edhe në disa shtete të tjera Federata ka vendosur për lejimin e tifozëve kurse qeveritë jo. Ne do ta respektojmë çdo vendim, por uroj që të lejohen që tifozët të na mbështesin”.

Ndërkohë, trajneri i Llapit, Tahir Batatina, që prej rifillimit të garave ka kërkuar rikthimin e tifozëve në tribuna, edhe një herë ka përsëritur të njëjtin qëndrim.

“Mendoj që shikuesit duhet të kthehen në tribuna. Organet shtetërore janë më të larta se FFK-ja dhe nëse ato kanë shfuqizuar këtë vendim, atëherë duhet të respektohet. Por, nëse FFK-ja vendos që të luhet pa tifozë, atëherë të vazhdojë kështu. Por, futbolli luhet për shikues”, tha Batatina.