Sport

Dueli me Flamurtarin, “treni i fundit” për ‘89-shin

Descriptive Text

Për Trepçën ’89 nuk ka opsion tjetër pos fitores ndaj Flamurtarit. Në fakt ekipit nga Mitrovica, që po lufton për të siguruar mbetjen në Superligë edhe për edicionin tjetër, nuk i kryen punë as barazimi. Kështu që, futbollistët e Trepçës ’89 janë maksimalisht të motivuar dhe do të futen në fushë vetëm për fitore, që njëherësh do të jetë e para për ta prejse kanë rifilluar garat pas pauzës gati tremujore shkaku i përhapjes së koronavirusit. Dueli mes Trepçës ’89 dhe Flamurtarit zhvillohet të mërkurën në stadiumin “Riza Lushta” të Mitrovicës prej orës 16:45 dhe i takon xhiros së 26 të Superligës së Kosovës në futboll. Trepça ’89 qëkur kanë rinisur garat ka zhvilluar tri ndeshje dhe ka regjistruar dy humbje e një barazim. Është e nënta në tabelë me 27 pikë të mbledhura, pozitë kjo që edicionin e ardhshëm dërgon në një rang më të ulët garash.

Ndërkohë, Flamurtari ka pesë pikë më shumë se Trepça ’89 dhe zë vendin e tetë në klasifikim. Përballja në Mitrovicë vlerësohet edhe si “derbi i mbijetesës”, për shkak se ngjashëm si Trepça ’89 edhe Flamurtari e ka synim të sigurojë mbetjen në elitë deri në fund të këtij edicioni, në të cilin kanë mbetur edhe tetë xhiro të pazhvilluara. Kapiteni i Trepçës ’89, Leart Emini ka paralajmëruar se dueli me Flamurtarin është “treni i fundit”, siç ka thënë ai, për të mbajtur gjallë shpresat për të mbetur në Superligë. Emini pret një ndeshje të vështirë, duke pasur parasysh formën e mirë të Flamurtarit që ka regjistruar një fitore, një barazim dhe një humbje në tri ndeshjet e luajtura brenda këtij muaji. Këtë edicion, bilanci mes Trepçës ’89 dhe Flamurtarit është i njëjtë, me të dyja ekipet që kanë nga një fitore në dy përballjet e mëhershme. Trepça ’89 pati triumfuar 5:1 në Mitrovicë derisa Flamurtari iu revanshua në Prishtinë me fitoren 4:3.

“Ndeshja me Flamurtarin është treni i fundit për ne që të bëjmë një hap drejt mbetjes në Superligë, që edhe është synimi ynë këtë edicion. Besoj se në këtë takim do të futemi me të gjitha forcat për të shënuar fitore, për shkak se asnjë rezultat tjetër nuk na bën punë. Ekipi është i mobilizuar maksimalisht dhe shpresoj një fitore”, ka thënë Emini. “Flamurtari ka pasur një ecuri të mirë dhe ka treguar një formë pozitive në ndeshjet e fundit, por ne duhet patjetër të triumfojmë në këtë ndeshje. Me këtë fitore do ta thyenim edhe akullin, duke marrë tri pikët e para që na duhen më shumë se kurrë prejse kanë rifilluar garat”.

Për ndeshjen me Flamurtarin, te Trepça ’89 do të jetë i gatshëm edhe sulmuesi Arb Manaj, që është golashënuesi më i mirë në Superligë me 13 gola të shënuar. Manaj në ndeshjen e fundit ndaj Ballkanit, të cilën Trepça ’89 e humbi, u zëvendësua pas pjesëlojës së parë shkaku i një tërheqjeje muskulore. Lojtari i vetëm që nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Shpëtim Idrizi është portieri Ardit Hyseni, i cili ditë më parë iu nënshtrua një operimi. Në anën tjetër, Flamurtari do të jetë i kompletuar. Ndërsa, fitorja e fundit në udhëtim ndaj Drenicës u ka dhënë vetëbesim më të madh se kurrë “kuqezinjve” nga Prishtina, ka pranuar trajneri Sunaj Keqi. Keqi ka thënë se ekipi i tij do të udhëtojë në Mitrovicë për një rezultat pozitiv edhe pse ka pranuar se këtë ndeshje nuk e sheh përcaktuese për renditjen përfundimtare të këtij edicioni.

“Do të jetë një ndeshje e radhës për ne, por më e vështirë. Do të përballemi me një kundërshtar direkt në luftën për mbetje në Superligë, por nuk do të jetë ndeshje vendimtare. Presion do të ketë tek të dyja palët për shkak të renditjes në tabelë. Pres të jetë një ndeshje e mirë dhe me angazhim maksimal”, ka shtuar Keqi. “Fitorja ndaj Drenicës na ka dhënë motiv apo adrenalinë të fortë dhe qëllimi ynë është që të marrim një rezultat pozitiv. Pra, na konvenon edhe barazimi”.

Të mërkurën në të njëjtën kohë do të zhvillohen edhe dy ndeshje te tjera në kuadër të kësaj xhiroje, por që do të jetë nën hijen e duelit në Mitrovicë. Drita, që prin në klasifikim me 52 pikë – dy më shumë se Prishtina që renditet e dyta – do të jetë mysafire e Vushtrrisë, që zë vendin e parafundit në tabelë. Ndërsa, Gjilani që ka 48 pikë dhe renditet i katërti, do të udhëtojë në Klinë për t’u përballur me Dukagjinin që mund të konsiderohet si anëtar i Ligës së Parë, pasi është i fundit me dhjetë pikë të mbledhura. Ndërkohë, kjo xhiro do të mbyllet me tri ndeshjet që do të zhvillohen një ditë më vonë, të enjten prej orës 16:45.

Superliga – XXVI

E mërkurë (16:45)

Trepça ’89 – Flamurtari

(Arbitra: T. Maloku, E. Zeqiri, F. Sekiraqa, Sh. Murtezi)

Vushtrria – Drita

(Arbitra: K. Vula, B. Këpuska, J. Musolli, V. Kastrati)

Dukagjini – Gjilani

(Arbitra: B. Kasumi, L. Muhadri, G. Hyseni, A. Halilaj)

E enjte (16:45)

Feronikeli – Drenica

(Arbitra: M. Bejtullahu, F. Jashari, M. Berisha, B. Jahmurataj)

Ferizaj – Ballkani

(Arbitra: A. Shala, S. Berisha, B. Rama, V. Ibërdemaj)

Llapi – Prishtina

(Arbitra: S. Isufi, F. Berisha, B. Selimaj, I. Ceroviku)

 

1. Drita 25 16 4 5 42:17 52

2. Prishtina 25 15 5 5 46:16 50

3. Ballkani 25 14 7 4 38:16 49

4. Gjilani 25 15 3 7 45:21 48

5. Feronikeli 25 13 4 8 43:27 43

6. Llapi 25 11 4 10 37:39 37

7. Drenica 25 9 7 9 31:31 34

8. Flamurtari 25 9 5 11 31:43 32

9. Trepça ’89 25 7 6 12 33:40 27

10. Ferizaj 25 8 1 16 23:47 25

11. Vushtrria 25 4 4 17 22:56 16

12. Dukagjini 25 2 4 19 13:51 10