Sport

“Urrejtja” për futbollin e çoi në Bundesligë

Descriptive Text

Donika Grajqevci nuk e kishte menduar se një ditë do të bëhej futbolliste. Aq më pak profesioniste. Madje, thotë se e kishte urryer shumë sportin më të popullarizuar në botë.

Një gjë të tillë për Donikën e thotë edhe babai i saj Arbeni nga Prishtina, që në fillimet e tij në Gjermani kishte luajtur futboll. Por, Arbeni nuk ka arritur ku vajza e tij ka arritur – të luajë në Bundesligë. Rruga e Grajqevcit deri në Bundesligë nisi me urrejtjen ndaj futbollit, shkruan KOHA.

“Si vajzë e vogël, e kam pasur mërzi ta shikoj babanë tim në fushë duke luajtur apo duke stërvitur”, tregon Donika 17-vjeçare, e lindur në Gjermani.

Por, urrejtja për futbollin i ishte kthyer Donikës në pasion.

“Më vonë, në shkollë kam filluar të luaj me shokë dhe shoqe të klasës, si dhe fëmijët e tjerë në oborrin e shkollës. Ndjeva kënaqësi dhe mora pjesë në një turne të shkollës. Unë isha në ekipin e djemve, por ata nuk donin të më inkuadronin, derisa kur hyja nuk luanin me mua. Dhe, pasi përfundoi turneu iu afrova babit tim dhe i thashë se dua të luaj në një ekip futbolli, pasi isha e inatosur me ata djemtë”, ka zbuluar ajo.