Sport

Drita ndaj Ferizajt, për ta mbajtur kreun

Descriptive Text

Drita nuk e ka ndërmend ta lëshojë kreun e tabelës në Superligën e Kosovës në futboll, të paktën edhe për këtë javë. Në kuadër të xhiros së 25-të, Drita e pret në shtëpi skuadrën e Ferizajt. Kjo ndeshje zhvillohet të premten prej orës 17:00. Drita prin në tabelë me 49 pikë, dy më shumë se Prishtina që zë vendin e dytë, ndërkohë Ferizaj është i dhjeti me 25 pikë, pozitë kjo që edicionin e ardhshëm dërgon në Ligën e Parë.
“Padyshim që Drita synon ta ruajë lidershipin. Me shumë punë dhe mund kemi arritur deri këtu, por jemi të vetëdijshëm se tash duhet edhe më tepër punë, angazhim, vendosmëri dhe përqendrim për ta ruajtur vendin e parë”, ka thënë trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu të enjten.
Kurse, sa i përket duelit me Ferizajn, trajneri Nuhiu ishte i qartë. Ai synon të vazhdojë me fitore edhe në këtë ndeshje për të regjistruar triumfin e tretë prejse futbolli ka rifilluar në Kosovë pas pezullimit shkaku i pandemisë COVID-19. Drita ka mposhtur Flamurtarin (1:0) në shtëpi dhe Trepçën ’89 (2:0) në udhëtim. Ndërsa, Ferizaj ka dy humbje në të cilat ka pësuar hiq më pak se 11 gola dhe ka shënuar vetëm një. Është mposhtur 8:1 nga Prishtina dhe 3:0 nga Gjilani.
“Do ta respektojmë çdo kundërshtar dhe pa asnjë nënvlerësim do të futemi në ndeshjen kundër Ferizajt. Jemi përgatitur mirë për këtë ndeshje dhe me një përpjekje maksimale, pres që ta vazhdojmë ecurinë që e kemi pasur deri më tani”, ka shtuar Nuhiu.
Megjithatë, te Ferizaj janë të vendosur për të luftuar deri në fund për të siguruar mbetjen në elitë me gjithë rezultatet e dobëta. Edhe pse ndeshja me Dritën nuk jep shumë shpresa te Ferizaj, mesfushori Taulant Dajaku insiston se do të japin maksimumin për të nxjerrë një rezultat sa më të mirë. Dajaku pranon se nuk do të jetë aspak lehtë për shkak se përballen me ekipin lider të elitës.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë për shkak se Drita është një ekip që ka treguar një formë të lartë prejse kemi rinisur garat derisa ne po kalojmë nëpër një moment të vështirë pas dy humbjeve rresht. Gjithashtu, gjërat ndaj Dritës do t’i vështirësojnë edhe më shumë disa mungesa që i kemi për shkak të kartonëve”, ka pranuar Dajaku të enjten. “Mirëpo, shpresojmë që të jetë një ditë e mirë për ne dhe Drita të mos jetë në elementin e saj”.
Përballja në Gjilan është ndeshja e vetme që zhvillohet të premten (sot), dhe hap xhiron e 25-të. Tri ndeshje të tjera do të zhvillohen të shtunën në të njëjtin orar (17:00) me përjashtim të duelit ndërmjet Prishtinës dhe Dukagjinit, që nis në orën 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” të kryeqytetit. Prej orës 17:00 do të luhen Drenica – Flamurtari dhe Gjilani – Vushtrria. Ndërkohë, kjo xhiro do të mbyllet të dielën me dy ndeshje që vlerësohen si më interesantet. Në Suharekë, ekipi i Ballkanit e pret Trepçën ’89, ndërsa në Drenas do të takohen Feronikeli me Llapin. Deri në fund të këtij edicioni kanë mbetur edhe nëntë xhiro të pazhvilluara. Superliga e Kosovës qe pezulluar më 13 mars pas rasteve të para të prekura me koronavirus në Kosovë, kurse garat kanë rifilluar në fillim të këtij muaji.


Superliga – XXV

E premte
Drita – Ferizaj (17:00)
(Arbitra: E. Zasella, A. Ejupi, A. Latifi, A. Halilaj)

E shtunë
Drenica – Flamurtari (17:00)
(Arbitra: S. Isufi, B. Morina, E. Bicaj, T. Maloku)

Gjilani – Vushtrria (17:00)
(Arbitra: B. Jahmurataj, D. Preniqi, G. Mehmeti, B. Ajeti)

Prishtina – Dukagjini (19:00)
(Arbitra: G. Shala, I. Kabashi, H. Osmani, Sh. Murtezi)

E diel
Ballkani – Trepça ’89 (17:00)
(Arbitra: G. Nuza, F. Berisha, B. Selimaj, A. Shala)

Feronikeli – Llapi (17:00)
(Arbitra: D. Çaka, E. Baliqi, F. Abrashi, I. Ceroviku)

1. Drita 24 15 4 5 40:17 49
2. Prishtina 24 14 5 5 42:15 47
3. Ballkani 24 13 7 4 35:15 46
4. Gjilani 24 14 3 7 42:21 45
5. Feronikeli 24 12 4 8 41:26 40
6. Llapi 24 11 4 9 36:37 37
7. Drenica 24 9 7 8 30:29 34
8. Flamurtari 24 8 5 11 29:42 29
9. Trepça ’89 24 7 6 11 32:37 27
10. Ferizaj 24 8 1 15 23:45 25
11. Vushtrria 24 4 4 16 22:53 16
12. Dukagjini 24 2 4 18 12:47 10