Sport

Ballkani përgatitet për penallti, Feronikeli ta arrijë finalen gjatë kohës së rregullt

Trajneri Ismet Munishi është i bindur se finalisti i Kupës së Kosovës në futboll nga ndeshja e dytë gjysmëfinale ndërmjet Feronikelit dhe Ballkanit do të përcaktohet nëpërmjet gjuajtjes së penalltive. Për këtë, Munishi me futbollistët e tij të Ballkanit thotë se gjatë gjithë javës ka punuar në gjuajtjet e penalltive.

Ndeshja e dytë gjysmëfinale ndërmjet këtyre dy skuadrave do të zhvillohet të mërkurën (nesër, 16:30) në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, në Drenas.

“I kemi ushtruar penalltitë, sepse 99 për qind kjo ndeshje do të shkojë në penallti. Ata (Feronikeli v.j.) do të mbrohen sikurse edhe ne që do të mbrohemi, dhe mesi i fushës do të mbetet bosh”, ka thënë Munishi.

Por, mendimin e njëjtë me Munishin nuk e ndan edhe trajneri i Feronikelit, Afrim Tovërlani. Tovërlani beson se çështja e finalistit do të kuptohet gjatë kohës së rregullt të ndeshjes.

“Nuk besoj që do të ketë penallti, mendoj që ndeshja do të përfundojë në kohën e rregullt”, ka thënë Tovërlani.

Në fakt, Munishi ishte ankuar edhe në ndeshjen e parë. Ai pati thënë se Feronikeli kishte udhëtuar në Suharekë për të nxjerrë një barazim dhe se nuk kishte pasur guximin të sulmonte. Ndeshja e parë që u zhvillua para dy javëve në Suharekë përfundoi pa gola. Të barabarta, këto dy ekipe janë edhe në pesë përballjet e ndërsjella. Si Feronikeli, ashtu edhe Ballkani kanë fituar nga dy ndeshje, kurse një është ndarë pa fitues. Gjithashtu, të dyja ekipet po luftojnë edhe për titullin e kampionit këtë edicion. Ballkani i udhëhequr nga Munishi pas dy barazimeve rresht dhe pa shënuar asnjë gol, e ka humbur pozitën e parë në tabelë. Ka rënë në vendin e tretë me 46 pikë, tri më pak se Drita që prin, kurse Feronikeli me dy fitore rresht në kampionat është në vendin e pestë me 40 pikë. Në fakt, prejse janë rikthyer garat e futbollit, Ballkani ka zhvilluar në total tri ndeshje që kanë përfunduar 0:0. Trajneri i Feronikelit, Tovërlani, e vlerëson si ndeshje të rëndësishme për të dyja ekipet përballjen e dytë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.

“Do të jetë ndeshje e rëndësishme dhe e vështirë për të dyja ekipet. Ballkani përkundër fillimit të dobët pas pushimit shkaku pandemisë, është ndër skuadrat më të mira dhe ka potencial. Por ne do të luftojmë fuqishëm për të arritur në finale. Në këto ndeshje shpesh ndodh që një moment ta vendosë epilogun”, ka thënë Tovërlani.

Ndërkohë, edhe ndeshja tjetër gjysmëfinale do të zhvillohet po ashtu të mërkurën (sot, 16:30) në Skenderaj, ku Drenica e dorëzuar e pret Prishtinën. Prishtina ka avantazhin e tre golave nga ndeshja e parë, që e fitoi 3:0 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Edhe pse rezultatin e kanë në favor të tyre, Prishtina, megjithatë, e ka vlerësuar si ndeshjen më të rëndësishme deri tash.

“Prishtina në Skenderaj zhvillon ndeshjen më të rëndësishme deri më tani në këtë edicion. ‘Bardhekaltrit’ duhet ta ruajnë epërsinë e krijuar në ndeshjen e parë prej tre golave epërsi, 3:0. Drenicasit në finale i dërgon vetëm fitorja prej katër golave epërsi, kurse në rast të fitores prej 3:0, ndeshja shkon në shtesa/penallti”, thuhet në njoftimin e Prishtinës.

Trajneri i Drenicës, Gani Sejdiu pas ndeshjes së parë të humbur në Prishtinë pati deklaruar se e kanë të pamundur kthimin e rezultatit dhe se fokusi i tyre do të jetë lufta për të mbijetuar në elitën e futbollit kosovar. Në Superligë, Drenica zë vendin e shtatë me 34 pikë. Fituesi i Kupës do ta sigurojë pjesëmarrjen në kualifikimet e Ligës së Evropës. Prishtina në tri edicione ka marrë pjesë në kualifikimet e Ligës së Evropës, por pa arritur të shkojë larg. Synimi i tyre është që të arrijnë edhe këtë edicion të marrin pjesë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve ose Ligës së Evropës. Krahas Kupës, Prishtina këtë edicion po lufton edhe për titullin e kampionit, pasi renditet e dyta në tabelë me 47 pikë të mbledhura pas 24 xhirove të zhvilluara.