Sport

Besa e Trepça fitojnë dhe bëjnë një hap drejt finales pas pushimit tremujor shkaku i koronavirusit

Kampionia e Kosovës në hendboll, Besa Famgas, ka bërë një hap të madh drejt arritjes së finales në elitën e hendbollit kosovar.

Skuadra pejane të shtunën, në palestrën “Karagaçi”, ka shënuar fitore ndaj Kastriotit me rezultatin 41:28.

Ishte kjo ndeshja e parë pas pushimit tremujor shkaku i koronavirusit.

Në Pejë u zhvillua vetëm gjysmëfinalja e parë e plejofit, pasi për t’u arritur në finale duhet të luhet edhe ndeshja kthyese, që do të zhvillohet në mesjavë në Ferizaj.

Te skuadra e Besa Famgas, që e ka dominuar ndeshjen vazhdimisht me epërsi të madhe, më i dalluari ishte Kastriot Jupa. Jupa ishte më efikasi te skuadra pejane me 9 gola të shënuar. Ndërkohë te ekipi ferizajas, të pamjaftueshme dolën të jenë 8 golat e Bislimit, që ishte më i miri te ekipi i vet.

Gjashtë herë fituesi i kampionatit me Besa Famgasin, e që sivjet e synon titullin e shtatë, Jupa, është shprehur shumë i lumtur me rifillimin e garave.

“Më në fund u rikthyem në parket pas një pauze shumë të gjatë. Fatmirësisht u kthyem me një fitore bindëse dhe jemi në rrugën e duhur drejt titullit të shtatë me radhë”, tha ai.

Ndërkohë, tekniku spanjoll i Besa Famgasit, Javier Cabanas, ka thënë se nuk ka pritur një rikthim të skuadrës në këtë nivel kaq të lartë. Ai shton se ka ende vend për përmirësime, por pas pauzës së gjatë është i kënaqur me paraqitjen e hendbollistëve të cilët ai i drejton.

“Pas rikthimit të kampionatit, ndeshja e parë ka qenë e panjohur. Me vetëm tri javë stërvitje fizike, teknike e taktike, mendoj se luajtëm në nivel shumë të kënaqshëm, sidomos në 20 minutat e para. Nuk e kam pritur një nivel të tillë. Kemi luajtur si dua unë në fazën e sulmit, por duhet të përmirësohemi në mbrojtje. Në pjesën e dytë ata na i shënuan 18 gola. Shpresoj të përmirësohemi në këtë aspekt ndeshjen tjetër”, nënvizoi tekniku spanjoll.

Fitore të madhe në kryeqytet të shtunën kanë shënuar edhe mitrovicasit e Trepçës, që mposhtën hendbollistët e Prishtinës me rezultatin, 31:23.

Në Prishtinë dominues ishin hendbollistët vizitorë, me “xehetarët” që patën angazhim të madh në mbrojtje, dhe me sukses përfunduan aksionet që i patën.

Maxhera dhe Klinaku te skuadra e Trepçës ishin më të dalluarit duke realizuar nga nëntë gola secili.