Sport

Shpresa olimpike McKinna, që punon në dy vende, për të arritur ambiciet sportive

Descriptive Text

Të punosh dy punë njëkohësisht është shumë për këdo e lëre më për një sportist elitar me misionin për t’u kualifikuar për herë të parë për Lojërat Olimpike.

Ky është realiteti për hedhësen e gjyles, britaniken Sophie McKinna, që e ka balancuar ëndrrën e saj olimpike, me profesionin e saj si një oficere e kujdestarisë e po ashtu edhe si instruktore për fitnes, për vite me radhë, shkruan CNN.

Puna e saj në policinë lokale përbën pjesën më të madhe të të ardhurave të saj dhe shërben si një shpërqendrim nga karriera e saj sportive, edhe nëse gjërat nxehen herë pas here, transmeton KOHA.

"Ne jemi si gardianët para bareve të njohura. Kur njerëzit fillojnë të bëjnë probleme, aty nis puna jonë, kështu që është një punë interesante", tha McKinna. "Të nxehet gjaku ndonjëherë kur dikush bëhet i vështirë".

Refuzimi i fondeve

Natyra e punës kërkon që McKinna të ruajë qetësinë gjatë disa situatave të testimit, por është një sfidë që asaj i ka pëlqyer, pasi hedhjet e saja vazhdojnë të bëhen më të gjata.

"Me të vërtetë kënaqem me punën time dhe kjo më jep atë hapësirën larg atletikës", pranon ajo.

Izolimi për shkak të pandemisë së koronavirusit ka nënvizuar se sa e rëndësishme është një shpërqendrim i tillë për McKinnan, e cila përkohësisht është larguar nga roli i saj për të mbajtur veten të sigurt nga virusi. Ajo ka qenë në gjendje të vazhdojë përgatitjet në kopshtin e saj, por është duke luftuar me të jetuarit, gjumin dhe ushtrimet në të njëjtin vend. Për këtë arsye McKinna vendosi të refuzojë fondet nga Federata britanike e atletikës, në fillim të këtij viti, një veprim që e la atë pa 15 mijë funte në vit dhe mundësinë për t'u bërë sportiste profesioniste.

Ajo që duket si një vendim i çuditshëm kishte kuptim të përsosur për McKinnan, e cila ishte e vendosur se asgjë nuk do ta shqetësonte atë në përgatitjet përpara një viti olimpik.