Sport

Stadiumit kombëtar të Kosovës shqyrtohet t’i ndërrohet sërish lokacioni

Ka kaluar një vit prej se është prezantuar maketi se si do të duket stadiumi kombëtar i Kosovës. Madje, ishte premtuar se do të nisë së ndërtuari pas dy apo tre muajve, në afërsi të Drenasit, posa të përfundonin procedurat e nevojshme.

Por stadiumit Kombëtar të Kosovës po shqyrtohet t’i ndërrohet sërish lokacioni, nga Korrotica në Bërnicë, vend ku edhe në fillim ishte caktuar të jetë projekti kapital më i madh në histori të vendit, sa u takon investimeve. Kështu kanë bërë të ditur të hënën për “Kohën” në kushte anonimiteti zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), derisa një gjë e tillë nuk është mohuar as nga ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e as nga drejtori i Departamentit të Sportit pranë MKRS-së, Ibër Alaj.

Stadiumi kombëtar është projekt i MKRS-së, ndërsa për të ka të paktën gjashtë vjet që flitet nëpër qarqet politike e sportive. Fillimisht është dashur të ndërtohej në një hapësirë në Komunën e Prishtinës, por më pas u ndërrua lokacioni dhe u vendos për një hapësirë në mes të Aeroportit të Prishtinës dhe Komunës së Drenasit. Vendimi për ndërrim të lokacionit ishte përcjellë me debate të shumta.

“Nuk është diskutuar asgjë”, ka thënë shkurt ministrja Dumoshi, që vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Por më i gjatë në deklarata ka qenë drejtori i Departamentit të Sportit, Alaj. Ai ka thënë se çështja e lokacionit do të mbetet të vendoset vetëm pasi të bëhet vlerësimi i studimit të fizibilitetit.

“Ende është në diskutim dhe mbetet të vendoset në bazë të vlerësimit të studimit të fizibilitetit se a është projekt i qëndrueshëm, pra a mund të ketë kthim të investimit, sepse këto investime duhet të kthehen në afatin dhjetëvjeçar. Për shembull, nëse investohen 70 milionë euro dhe nuk ka kthim të investimeve, atëherë vlerësohet si projekt i dështuar. Në bazë të rekomandimeve edhe do të merren vendimet”, ka thënë Alaj.

Në të vërtetë, LDK-ja është duke udhëhequr Qeverinë e shtetit me kryeministrin Avdullah Hoti dhe se para zgjedhjeve të fundit kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, në hapje të fushatës zgjedhore pati premtuar se do ta ketë si prioritet kthimin e projektit të stadiumit Kombëtar nga Korrotica në Bërnicë.