Sport

Suspendohet për katër vjet atleti rus për doping

Foto: Getty Images

Atleti rus, Alexander Shustov, kampion evropian i vitit 2010 në kërcim së larti, është suspenduar për katër vjet për thyerjen e rregullave anti-doping, ka konfirmuar Federata Ruse e Atletikës, raporton Reuters.

Shustov, i cili ishte pensionuar nga garat më 2017, është suspenduar deri në vitin 2024 për “përdorim ose përpjekje për të përdorur një substancë apo metodë të ndaluar”, në një vendim nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) me qendër në Lozanë, transmeton KOHA.

Federata ka bërë të ditur gjithashtu se rezultatet e Shustovit ndërmjet korrikut 2013 dhe korrikut 2017, një periudhë kjo që përfshinë edhe përfundimin e tij në vendin e shtatë në Kampionatin Botëror të Atletikës në Moskë, janë anuluar.

Për agjencinë e lajmeve TASS, Shustov ka deklaruar se nuk pajtohet me vendimin e CAS-it.

Detaje të tjera nuk janë bërë të ditura, përfshirë këtu edhe emrin e substancës apo metodës së ndaluar.

Federata Ruse e Atletikës ishte suspenduar më 2015 pas një raporti nga Agjencia Botërore e Anti-Dopingut (WADA) kishte gjetur prova të dopingut në masë në këtë sport.