Sport

“Sporti Total” për rifillimin e Superligës në futboll

Descriptive Text

Ndeshjet e para gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll, që shënuan rikthimin e aktiviteteve sportive në vend, kanë qenë provë gjenerale për rikthimin e Superligës në futboll.

Pas 84 ditëve ndërprerjeje për shkak të pandemisë CIVID-19, futbolli i Kosovës riktheu ngjarjet sportive në vend, të cilat do të vazhdojnë shumë shpejt edhe me garat e boksit, hendbollit e volejbollit.

Rifillimi i Superligës nga xhiroja e 23-të, për të përcaktuar kampionin, ekipet që do të na përfaqësojnë në garat evropiane dhe katër ekipet që do të largohen nga liga, do të diskutohet të dielën mbrëma, në emisionin qendror të Sportit në KTV, “Sporti Total”.

Trajnerët e ekipeve nga Llapi, Gjilani e Drita do të jenë mysafirët e parë të “Sportit Total”, pas rifillimit të futbollit.

“Me rinisjen e futbollit do të rikthehet edhe formati i emisionit, ku do të diskutohet e analizohet xhiroja e parë, nga vetë ata që udhëheqin ekipet. Për xhiron e parë pas ndërprerjes, për ndeshjet, lojën, problemet që i kanë përjetuar ekipet, mysafirët e ftuar do t’i tregojnë përvojat e tyre për shikuesit. Analizat e ndeshjeve dhe detajet nga çdo takim do të transmetohen gjatë pjesës së parë të emisionit”, ka thënë Bujar Mehmeti, udhëheqës i “Sportit Total”.

Pjesë e bisedës do të jenë edhe ekspertët e mjekësisë, të cilët janë personat kryesorë të një ndeshjeje, për të siguruar që po përfillet protokolli mjekësor nga ekipet.

Në pjesën e dytë të “Sportit Total”, pas një kohe të gjatë do të rikthehet rubrika atraktive e shpesh qesharake “Faullat e javës”, ndërsa për fund Redaksia e Sportit në KOHA do të përgatitë edhe raportet e ndeshjeve të Bundesligës, me theks të veçantë në paraqitjen e futbollistëve shqiptarë për ekipet gjermane.

“Sporti Total”, transmetohet çdo të diel nga ora 22:15 në KTV.