Sport

Zhao Lina: portiere ditën, bateriste natën

Descriptive Text

Filmat e animuar të Japonisë, në mënyrë të mahnitshme, kanë pasur një ndikim të madh tek disa futbollistë të shkëlqyeshëm nëpër botë. Hidetoshi Nakata, që është njëri prej sportistëve më të njohur në Japoni, vendosi të ndiqte një karrierë futbolli pasi kishte shikuar filmin e animuar “Kapiten Tsubasa”. Ndërsa lojtarët e tjerë të njohur në botën e futbollit, si James Rodriguez, Andres Iniesta e Lionel Messi, janë frymëzuar nga heronjtë e disa filmave të animuar japonezë kur ishin fëmijë.

Sidoqoftë, një histori pothuajse të ngjashme e ka edhe ish-portieria e Përfaqësueses së Kinës në Futboll (femrat), Zhao Lina. Në fakt, talenti muzikor i Linas u zhbllokua nga një film i animuar me emrin “Nana”. Ky film i animuar japonez kishte të bënte me një histori që ishte e përqendruar rreth një grupi të njohur muzikor të rokut.

“Në vitin 2005, kur isha adoleshente dhe derisa isha pjesë e një ekipi të futbollit në Shanghai, fillova ta përcillja filmin e animuar ‘Nana’. Më pëlqente shumë dhe vazhdimisht e përcillja”, kujton Lina. “Si një adhuruese e muzikës rok, unë u dashurova në historinë e këtij filmi të animuar. Ishte aq e lezetshme dhe unë u fiksova pas tij. Pastaj, më erdhi në mendje një ide: pse nuk provoj të luaj me bateri?”, shkruan FIFA.com, transmeton KOHA.

Nëse ideja nuk konsiderohej e çmendur, të paktën të dukej impulsive.

Zhao filloi të luante futboll në vitin 1997, dhe kur vendosi të fillonte të mësonte për të luajtur me bateritë, ajo tashmë ishte një portiere premtuese për ekipin e parë të Shangait. Por ajo ishte e vendosur për të zbatuar planin e saj muzikor.

"Unë nuk mund t'i rezistoja tundimit të muzikës", pranon 28-vjeçarja. "Kështu që gjatë fundjavave dola jashtë duke kërkuar një mësues muzike dhe fillova të mësoja të luaja bateritë. Përveç stërvitjes sime të përditshme të futbollit, do të kaloja shumë nga koha ime e lirë duke mësuar dhe duke praktikuar për bateritë".

Pasioni i saj për muzikën nuk kaloi pa u vërejtur, pasi trajneri i ekipit më në fund e lejoi atë të vazhdonte studimet e saj muzikore krahas stërvitjeve të përditshme.

"Ndërsa trajneri ra dakord, ekipi ngriti një studio të vogël për mua në një depo. Unë i dërgova aty instrumentet e mia dhe çdo ditë pas stërvitjes, edhe pse isha e lodhur, unë do të shkoja atje dhe do të praktikoja të luaja daullet”, thotë Lina. "Unë vazhdova ta bëja këtë me vite. Gjatë pushimeve unë shkova te mësuesi im i muzikës për të mësuar diçka të re. Në bazën e trajnimit, kur dëgjoja ndonjë muzikë të këndshme, unë menjëherë do ta shënoja atë, kështu që mund ta praktikoja atë natën pas trajnimit".

Përparimi i saj në muzikë ishte i jashtëzakonshëm. Pas shumë vjetëve të trajnimit të vazhdueshëm, Lina u bë një bateriste e kompletuar, duke arritur të realizonte planin e saj. Më vonë ajo u ftua në një grup muzikor me të cilin filloi të performonte në publik.

"Disa njerëz u larguan dhe grupi ynë u nda. Por, disa prej nesh ende takohemi dhe luajmë muzikë edhe tash. Sa i përket talentit tim muzikor, unë jam thjesht një amatore që mund të luaj një muzikë të thjeshtë", tha Zhao me modesti.

Frymëzimi i freskët

​​​​​​​Siç ka rezultuar, hobi i saj për muzikën ka bërë shumë pak për të penguar zhvillimin e saj të futbollit. Përkundrazi, muzika ia ka dhënë portieres Lina një frymëzim të freskët për ndjekur karrierën e saj në futboll.

Lina pranon se e do me zemër si futbollin ashtu edhe muzikën, që nuk mund t’i ndajë. Megjithatë, futbolli është primar në jetën e portieres kineze.