Sport

Maxhuni, futbollisti fizioterapeut i Superligës

Pas përfundimit të karrierës si futbollist aktiv, shumica e lojtarëve ndjekin rrugën e trajnerit për të mbetur në lojën e futbollit. Por, një rrugë të tillë nuk e ka ndërmend ta ndjekë edhe futbollisti i Flamurtarit të Prishtinës, Lorik Maxhuni.

27-vjeçari, që ka bërë karrierë në shumë klube të Kosovës, tashmë e ka përfunduar Fakultetin e Mjekësisë – drejtimin e fizioterapisë. Kështu që, kur do t’i varë këpucët në gozhdë, Maxhuni do t’i përkushtohet profesionit të fizioterapeutit, shkruan KOHA.

Për shkak se gjatë karrierës si futbollist është përballur me lëndime të shpeshta, Maxhuni ka vendosur që në të ardhmen t’i ndihmojë lojtarët për t’u rikuperuar më shpejt nga lëndimet e pësuara. Sipas tij, lëndimet me të cilat është përballur janë bërë “sebep” që ai ta shohë veten si fizioterapeut në të ardhmen.

“Fizioterapinë kam vendosur ta kryej pasi që është një profesion që fillimisht të bënë të mburresh me punën që e bën. Çdo ditë e sheh veten duke ndihmuar pacientët për të bërë një jetë sa më të mirë”, thotë Maxhuni. “Sigurisht që është një profesion fisnik dhe do të mundohem t’i përkushtohem maksimalisht, duke ndihmuar të gjithë ata që kanë nevojë. Gjithashtu, do të jem në gjendje t’iu ndihmoj edhe futbollistëve të lënduar”.

Mbrojtësi i krahut të djathtë, është i bindur se do të jetë i efektshëm edhe si fizioterapeut. Mjekësisë i është përkushtuar vetëm e vetëm që t’u dalë në ndihmë jo vetëm futbollistëve, por të gjithë sportistëve që të rikuperohen nga lëndimet e ndryshme që mund t’i pësojnë ata, qoftë në gara apo stërvitje.

Ai insiston se edhe si fizioterapeut mund të mbetet në sport pas tërheqjes nga futbolli aktiv.