Sport

Mjeku i futbollit në Itali kërkon të përgjysmohet periudha e karantinës

Kryetari i mjekëve të futbollit në Itali, Enrico Castellacci, ka thënë se periudha e karantinës duhet të përgjysmohet për ata që rezultojnë pozitiv me koronavirus dhe është kundër hapjes së stadiumeve për tifozët.

Serie A do të rifillojë më 20 qershor, ndërsa ish-mjeku i përfaqësueses së Italisë ka thënë se është vendim i duhur për t’i ofruar futbollit mundësitë e njëjta si pjesës tjetër të shoqërisë.

“Rifillimi i Series A është një fitore e madhe. Meritat më të mëdha shkojnë te Federata e Futbollit të Italisë, që nuk është ndalur te problemet e para dhe mureve që kanë ngritur politikanët në muajt e fundit. Bota po rifillon të funksionojë, kafenetë po mbushen, shitoret po rihapen, po ka gjallëri në rrugë. Më duket e duhur për mua që një industri si futbolli të ketë mundësitë e njëjta”, ka thënë Castellacci për “Corriere dello Sport”.

Mirëpo, ai është i shqetësuar për rrezikun e madh se mund të mos kompletohet kampionati bazuar në protokollin aktual. 

“Nëse të gjithë kanë zgjedhur të shkojnë para, siç duket, atëherë pse të mos mendojmë reduktimin e karantinës në shtatë ditë? Vetëm në këtë mënyrë kampionati ec para. 14 ditët janë tepër, dhe rregulloret e Ministrisë së Shëndetësisë datojnë nga 21 shkurti. Në ndërkohë, skenari ka ndryshuar”, ka thënë Castellacci.

Ai po ashtu shton se publiku duhet të presë për t’u kthyer në tribuna, dhe është skeptik për të lejuar njerëzit në stadiume në Itali, edhe me kapacitet të reduktuar.

“Për tash, e shoh të vështirë. Nëse ka obligim për të karantinuar 300 persona nëse ka vetëm një rast me COVID-19, atëherë çfarë do të ndodhte nëse publiku futet në infrastrukturë. Të bëjmë nga një hap me kohën”, ka thënë Castellacci.