Sport

Ligat rajonale në modë, ideohet një tjetër me Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë e Greqinë

Federatat e Basketbollit të Kosovës dhe të Shqipërisë kanë nisur punën për krijimin e një lige të përbashkët, ku synohet të përfshihen edhe skuadra nga Maqedonia e Veriut.

Kështu në rajon do të formohej edhe një ligë rajonale e basketbollit. Dy të tilla ekzistojnë tashmë, Liga ABA me skuadrat më të mira nga Sllovenia, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi e Serbia si dhe me skuadra edhe nga Maqedonia e Veriut në kategorinë e dytë. Ekziston edhe Liga Ballkanike në të cilën së fundi luajtën skuadra nga Kosova, Shqipëria, Bullgaria e Mali i Zi.

Por nga edicioni i ardhshëm mund të formohet edhe një ligë tjetër rajonale, me skuadra nga Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Greqia. Kryetari i Federatës së Basketbollit të Bullgarisë, Georgi Glushkov është duke punuar në këtë ide.

“Ne tashmë jemi duke punuar fuqishëm në këtë. Ne duhet të orientohemi shpejtë, të marrim informata. Po punoj për një takim me liderët e federatave fqinje. Mendoj se afati i fundit është deri më 15 korrik për t’u organizuar. Më pas do të jetë shumë më vështirë, pasi duhet të punojë për kalendarin dhe kampionatin vendorë. Ka opsione për të përfshirë ekipet greke dhe serbe. Ne kemi raporte të mira me këto vende”, ka thënë Glushkov për “monitor.bg”.

Ligat rajonale shihen si mundësi për ngritje të cilësisë e sidomos të interesimit të shikuesve. Tashmë dihet që në ligat ku merr pjesë Kosova nuk merr pjesë Serbia dhe e kundërta, raporton Koha.net.

Të hënën Liga Ballkanike, që e ka humbur thuajse plotësisht vlerën, ka bërë të ditur se shpreson që edicionin e ardhshëm t’i ketë dy skuadra nga Kosova. Por nga FBK-ja kanë lënë të kuptohet në shumë raste se nuk kanë më interes për të marrë pjesë në Ligën Ballkanike.

Pasi Liga ABA mbetet e paarritshme për shkak të ndikimit të Serbisë, FBK-ja ka nisur punën me FSHB-në për një ligë rajonale, me synim që të përfshihen edhe ekipet nga Maqedonia e Veriut. FBK-ja tashmë ka përcaktuar skuadrat që do të garojnë në ligën, që të paktën të jetë e përbashkët me Shqipërinë.

“Ideja e kahmotshme e themelimit të një lige të përbashkët të basketbollit mes Shqipërisë dhe Kosovës do të realizohet nga edicioni garues 2020-2021. Marrëveshja e bashkëpunimit dhe financimit të Ligës Kombëtare në Basketboll do të formalizohet gjatë qershorit, për një periudhë katër vjeçare”, ka thënë kohë më parë Arben Fetahu, kryetar i FBK-së.