Sport

FFK-ja e konfirmon se nuk do të vazhdohen garat në Ligën e Parë dhe Ligën e Dytë

Federata e Futbollit të Kosovës ka marrë vendim që të mos vazhdohen garat në Ligën e Parë dhe Ligën e Dytë, shkaku i pandemisë COVID-19.

Vendimi është marrë në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së. Është vendosur që mos të bie asnjë skuadër nga këto rangje. Ndërsa Besa dhe Arbëria do të ngjiten në Superligë, pasi kanë qenë në dy pozitat e para në momentin e pezullimit.

Garat në Superligë do të luhen nga qershori. 

Ndërkohë për Ligën e Femrave në futboll është vendosur që Mitrovica e Feronikeli, që kanë pikë të barabarta të luajnë një ndeshje përcaktuese ku fituesi shpallet kampion.

Është raportuar se në futsal pritet të vazhdojnë garat në formë plejofi, që do të luhen gjatë tri ditëve.

“KE-ja duke marrë për bazë gjendjen e krijuar nga pandemia Covid -19 dhe me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullsisë dhe në bazë të vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, ku janë lejuar garat vetëm në Ipko Superligë, për ligat tjera mori vendim që të mos zhvillohen garat dhe rezultatet do të merren sipas tabelës aktuale para fillimit të pandemisë, por edhe duke ruajtur mundin e secilit klub. Kështu që, nga Superliga largohen 4 skuadra për në Ligën e Parë, derisa Superligës do t’i bashkëngjitën dy skuadra – KF”Besa” që ndodhet në vendin e parë në tabelë dhe KF ”Arbëria” që ndodhet në pozitën e dytë dhe nga Liga e Parë nuk largohet asnjë skuadër. Ligës së Parë i bashkëngjitën KF ”Kika” dhe KF ”A&N” që vijnë nga Liga e Dytë dhe që i bie që kjo ligë nga edicioni i ardhshëm do të numërojë 20 skuadra. Edhe nga Liga e Dytë nuk largohet asnjë skuadër, por vetëm dy skuadra e Ligës së Tretë do t’i bashkëngjitën kësaj Ligë edhe atë, KF ”Dushkaja” nga rajoni i Pejës dhe KF ”Vjosa” e Shtimes nga rajoni i Prishtinës sikur që edhe nga dy ligat e treta nuk largohet asnjë skuadër. KE shqyrtoi dhe garat në Ligën e femrave dhe konstatoi se në dy ligat e femrave nuk ekzistojnë kushtet për rifillimin e garave, por duke qenë se në konkurrencën e femrave, skuadra kampione merr pjesë në garat evropiane, atëherë dy skuadrat e para KFF ”Mitrovica” dhe KFF ”Feronikeli” që kanë pikë të barabarta do të zhvillojnë një ndeshje përcaktuese ku fituesi shpallet kampion. Vitin e kaluar është hequr elementi i gol-dallimit për të përcaktuar kampionin dhe kampioni përcaktohej në bazë të ndeshjeve të ndërsjella”, është thënë në njoftim të FFK-së.