Sport

28 vjet nga themelimi i Komitetit Olimpik të Kosovës

27 maj i vitit 1992 është një datë e rëndësishme për sportin e Kosovës. Me këtë datë ishte themeluar Komiteti Olimpik i Kosovës.

Përfaqësueses të federatave sportive, kishin vendosur të mbajnë mbledhjen konstituive për themelimin e KOK-ut. Mbledhja ishte mbajtur në objektin e Rilindjes në Prishtinë, në të cilën vepronte gazeta e përditshme “Rilindja”.

“Pas vendimit për t’u ndarë institucionet sportive të Kosovës nga ish-regjimi serb, i erdhi radha konstituimit për formimin e KOK-ut në vitin 1992. Prej muajit maj 1991 filluan aktivitetet sportive të federatave dhe pas një viti përfaqësuesit e federatave janë tubuar në Kuvendin Themelues të mbajtur më 27 maj 1992, ku themeluan Komitetin Olimpik të Kosovës, si dhe zgjodhën kryesinë e re”, ka thënë presidenti i KOK-ut, Hasani, për faqen zyrtare të KOK-ut. “Anulimi i dhunshëm i Kushtetutës së Kosovës kushtëzoi organizimin vetanak të popullit të Kosovës. Pothuajse paralel me organizimin e arsimit, edhe komuniteti i sportit mori masat dhe filloi mëvetësimin e sportit të Kosovës nga sistemi serbo-jugosllav. Nismëtar ishte Ali Latifi. Asnjë klub nuk merrte pjesë në garat që i organizonte regjimi serb në Kosovë, por ato u organizuan në federatat përkatëse, të cilat udhëhiqeshin nga kryesitë (Bordet) e federatave, të cilat u formuan nga përfaqësuesit e klubeve përkatëse”.

28 vjet më parë, pjesëmarrësit në Kuvend, me vota të fshehta zgjodhën kryesinë prej nëntë anëtarëve, ndërsa me aklamacion detyra e kryetarit, iu besua publicistit Veton Surroi.

Bordi i parë Ekzekutiv i KOK-ut kishte këtë përbërje: Veton Surroi - president, Behlul Brestovci - nënkryetar, Muhamet Berisha - sekretar i përgjithshëm, Mentaz Allajbegu - anëtar (mundje), Esat Stavileci - anëtar (basketboll), Burim Hatipi - anëtar (gazetar), Aziz Salihu - anëtar (boks), Fahri Buçinca - anëtar (hendboll), Hysen Rakovica - anëtar (atletikë). Anëtarë nderi u zgjodhën: Dr.Ibrahim Rugova, prof.dr. Pajazit Nushi, ing.Nazmi Mustafa dhe prof.Halim Hyseni, ndërsa Këshillin Mbikëqyrës e përbënin: Ismail Hyseni, Bedri Hamza dhe Adem Fejzullahu.