Sport

Kosova renditet lart në ranglistën e IHF-së

Descriptive Text

Federata Evropiane e Hendbollit (EHF) të mërkurën ka njoftuar për ranglistën e fundit të IHF-së, që do të merret për bazë me rastin e transferimit të lojtarëve.
IHF-ja ka ndarë ekipet kombëtare të meshkujve në tri grupe, ndërsa për bazë janë marrë rezultatet në ngjarjet globale të viteve të fundit.

Kosova verën e kaluar për herë të parë luajti në Botërorin e juniorëve në Spanjë. Ndërkohë Kombëtarja A në janar u rendit në vend të dytë në grup në kualifikimet për Botëror, duke lënë prapa Gjeorgjinë e Italinë. Këto dhe rezultatet tjera kanë bërë që Kosova të jetë në grupin e dytë, në atë të kombëtareve të zhvilluara.
Në grupin e top-kombëtareve janë 16 kombëtaret më të mira në botë: Franca, Danimarka, Spanja, Kroacia, Norvegjia, Gjermania, Suedia, Hungaria, Egjipti, Sllovenia, Tunizia, Islanda, Rusia, Brazili, Portugalia, Maqedonia e Veriut.
Kosova është në grupin e dytë të ekipeve më të mira kombëtare, atyre të zhvilluara, ku bëjnë pjesë 24 kombëtare. Pra Kosova është në grupin që ndanë pozitat nga 17 deri në 40.

Kosova dhe kombëtaret tjera të grupit të zhvilluar i lënë prapa 169 ekipe kombëtare të grupit të tretë, të kombëtareve në zhvillim.
"Kjo ranglistë dëshmon se jemi në rrugën e duhur dhe se po përparojmë vazhdimisht. Para nesh janë vetëm top-përfaqësueset botërore, ato që marrin pjesë rregullisht në ngjarje te mëdha. Ne jemi menjëherë pas tyre dhe kjo duhet vlerësuar. Por po punojmë maksimalisht që përparimi të vazhdojë", ka thënë Izet Gjinovci, sekretar i përgjithshëm i FHK-së.