Sport

Ujkani do të largohet nga Torino

Portieri i dytë te Përfaqësuesja e Kosovës, Samir Ujkani do të mbetet lojtar i lirë. Mediumet italiane kanë raportuar të martën se Ujkani nuk do ta rinovojë kontratën e tij me ekipin e Torinos që i skadon në fund të këtij edicioni.

Ujkani 31-vjeçar, para fillimit të këtij edicioni iu bashkua Torinos duke firmosur kontratë njëvjeçare me mundësi vazhdimi, por te ekipi nga Serie A nuk iu dha rasti.

Në fakt, Ujkani këtë edicion nuk e ka regjistruar asnjë ndeshje te Torino, ku u transferua nga Rizespori, ekip ku po ashtu e kishte hapësirën e limituar. Ujkani pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar në futbollin italian, pasi ka qenë pjesë e ekipeve si Palermo, Novara, Chievo, Genoa, Latina, Pisa e Cremonese.

Ai ka regjistruar 26 paraqitje deri më tash për Kosovën.