Sport

Futbolli rikthehet në epiqendrën e koronavirusit, Wuhan

Për gati tre muaj entuziastët e futbollit në Wuhan, qytetin kinez që ishte epiqendra e koronavirusit, kishin mbetur të mbyllur.

Por, që kur janë zbutur masat kufizuese në qytetin me rreth 11 milionë banorë në fund të prillit, futbollistët amatorë kanë hequr maskat e tyre dhe kanë mbathur këpucët e futbollit, shkruan agjencia AFP.

“Kemi qenë shumë kohë të mbyllur kështu që u desh të bënim pak ushtrime në shtëpi”, ka thënë Wang Zijun 42-vjeçar. “Unë bëja ushtrime në shtëpi me të birin, pasonim topin mes vete, dhe nganjëherë bëja ushtrime edhe në garazh”.

Një lojtar thotë se është çliruese që më në fund është në gjendje të luaj sërish me shokët e tij dhe bashkëlojtarët e tij.

Ata luanin pa maska, ndonëse shumica prej tyre i mbanin rreth qafës.

“Para heqjes së masave kufizuese të gjithë ndjeheshin të shtypur”, ka thënë 45-vjeçari, që dha vetëm mbiemrin Wen. “Duhej të bënim ushtrime fizike. Pasi u hoqën masat, ne iu kthyem stërvitjeve nga një herë në javë. Jam shumë i lumtur”.

Futbollistët profesionistë po ashtu janë prekur.

Wang Shuang, një qytetare nga Wuhani dhe futbollistja më e mirë e përfaqësueses së Kinës, kishte mbetur e izoluar në qytetin e saj dhe po bënte stërvitjet në çati, ndërsa bashkëlojtaret e saj ishin në Australi në një turne kualifikues për Lojërat Olimpike në Tokio.

Klubi i Superligës së meshkujve Wuhan Zall dhe ai i Kategorisë së Tretë, Wuhan Three Towns, u kthyen në qytet pas një periudhe të gjatë jashtë vendit, ku kishin shkuar për stërvitje.

Stinori i Superligës së Kinës ishte paraparë të fillonte më 22 shkurt, por është shtyrë për një afat të pacaktuar.