Sport

Problemet dhe dashuria për Prishtinën nuk po e lënë Mankendën të kthehet në Kongo

Shumë futbollistë të huaj vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë, edhe përkundër që Superliga është pezulluar që nga 13 marsi, shkaku i pandemisë COVID-19 dhe nuk dihet se kur do të rinisë apo do të anulohet?

Kontratat e tyre me klubet kosovare dhe përpjekjet e mëdha të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), për ta përfunduar edicionin në fushë, kanë bërë që ata të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë, shkruan KOHA.

Një gjë tjetër që tashmë i detyron ata të qëndrojnë është edhe fakti se kufijtë tokësorë dhe ajrorë janë mbyllur tashmë dy muaj, çka ua ka pamundësuar që të largohen, edhe nëse dëshirojnë. Njëri prej futbollistëve që ka luajtur më së gjati në futbollin kosovar dhe që vazhdon ta kalojë pa problem edhe kohën e koronavirusit është Gauthier Mankenda i Prishtinës, të cilin shokët e skuadrës e thërrasin “Maki”.

Që nga ardhja te klubi kryeqytetas, ai asnjëherë nuk ka qenë në vendlindjen e tij në Kongo. Mankenda është pjesë e klubit nga kryeqyteti që nga viti 2015, ku në moshën 18-vjeçare kishte ardhur te Prishtina. Futbollisti nga Kongo ka thënë për KOHËN se disa probleme në vendlindje dhe ndeshjet në arenën ndërkombëtare, ia kanë pamundësuar shkuarjen në vendlindjen e tij.

“Unë jam këtu dhe kur do të shkoj në vendlindje do ta merrni vesh. Për shkak të disa problemeve atje, nuk kam shkuar që nga koha kur kam ardhur në Kosovë. Unë vazhdoj të qëndroj këtu qe një kohë të gjatë edhe për arsye se gjatë kohës së pushimeve, ne kemi zhvilluar përgatitje për ndeshje kualifikuese për Ligën e Evropës, ku deri më tani jemi paraqitur tri herë”, ka deklaruar Mankenda.