Sport

Sportistët nuk pritet të përfitojnë nga pesë milionët e premtuara

Descriptive Text

Në Pakon Emergjente Fiskale të Qeverisë së Kosovës, të publikuar më 30 mars, ishte përfshirë “Rritja e buxhetit për grante dhe subvencione për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për evitimin e situatës së krijuar nga situata e emergjencës së shëndetit publik në aktivitetet sportive dhe kulturore, në vlerë prej pesë milionë euro”.

Sportistët kanë pritur shumë prej këtij vendimi dhe vazhdojnë të shpresojnë, raporton Koha.net. Por deri më tani nuk ka pasur ndonjë njoftim nga MKRS-ja lidhur me këtë fond, ndërsa tashmë thuhet se ai fond nuk do të ndahet fare. Kështu klubet sportive dhe federatat nuk pritet të përfitojnë nga ai fond i premtuar.

Këtë e ka bërë të ditur Komiteti Olimpik i Kosovës të enjten, pas një video-konference që e mbajti me drejtuesit e federatave sportive dhe me Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport.

“Drejtori i Departamentit të Sportit në MKRS, Ibër Alaj, sqaroi se pakoja fiskale e propozuar nga Qeveria në detyrë, ka pak gjasa të realizohet pasi ndodhemi në një periudhë ku veprimet ligjore na kufizojnë dhe se vendimi për këtë duhet të merret në Kuvendin e Kosovës”, ka njoftuar KOK-u.

“Sipas drejtorit Alaj, nuk ka buxhet shtesë në MKRS për ndarje të mjeteve shtesë në kohë të pandemisë dhe se MKRS është duke punuar me buxhetin që ka për të ndihmuar federatat sipas memorandumeve të nënshkruara. Disa nga federatat treguan për presionet që po iu bëhen nga klubet për pakon fiskale, për çka kërkuan nga MKRS që të dalë me sqarime”, thuhet në njoftim.

Koha.net ka mësuar se drejtuesit e federatave e kanë pritur rëndë deklaratën e Ibër Alajt. Në federata është duke u bërë presion i madh nga klubet lidhur me ndonjë përkrahje financiare. Klubet në shumicën e sporteve gjenden buzë kolapsit, ndërsa pos atyre të futbollit, klubet tjera nuk kanë pasur përkrahje nga baza, përkatësisht nga federatat. Shumë është pritur në fondin pesë-milionësh. Shumica e federatave varen vetëm nga buxheti i shtetit.