Sport

Lojtarët e Elches nuk paraqiten në stërvitje në shenjë proteste

Si shumë klube në Spanjë edhe Elche ka vendosur të vendosë lojtarët në skemën e uljes së pagës si reagim ndaj krizës së koronavirusit.

Kështu është situata që kur kanë filluar masat izoluese në Spanjë.

Por, skuadrat janë kthyer në stërvitje këtë javë para rikthimit të planifikuar të ndeshjeve muajin e ardhshëm, që nënkupton se po rritet pakënaqësia pasi po vazhdohet me skemën e uljes së pagave, ndonëse janë kthyer në punë lojtarët.

Lojtarët e Elches, që garon në Kategorinë e Dytë të Spanjës, nuk janë paraqitur në stërvitje të mërkurën në shenjë proteste, njofton gazeta “AS”. Lojtarët kanë vendosur të vazhdojnë stërvitjet nga shtëpia. Ata duan të marirn pagat e plota pasi janë kthyer në stërvitje dhe liga po pritet të rifillojë.

Shefja-ekzekutive e Elches, Patricia Rodriguez, ka thënë për radio-stacionin “Cope”, se është e befasuar nga vendimi i lojtarëve, pasi klubi u ka bërë një ofertë atyre për pagat.

Ajo ka thënë se lojtarëve nuk po i kërkohet të punojnë me orar të plotë.

“Ndonëse do të jenë në stadiume, ata do të stërvitin rreth 45 minuta, që është brenda reduktimit të paraparë me skemën”, ka thënë ajo.

Elche mban vendin e gjashtë në rangun e dytë të Spanjës.