Sport

Klubet fusin në presion Federatën për dalje në Evropë

Tri opsione i ka në tavolinë Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) – të vazhdojë, të përfundohet apo të anulohet edicioni 2019/2020 i pezulluar shkaku i pandemisë së koronavirusit. Për njërën prej tyre do të detyrohet të raportojë më 25 maj, në Konfederatën e Evropiane të Futbollit (UEFA), kur edhe e ka datën e fundit për raportim për fatin e këtij edicioni.

Vazhdimi i kampionatit është dëshirë e Federatës, por edhe e vetë klubeve të Superligës. Por, rifillimi i kampionatit do të varet nga vendimet që Ministria e Shëndetësisë (MSH) mund t’i marrë në ditët në vijim, pas rekomandimeve nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Megjithatë, ditë më parë, për gazetën, Zyra për media e Ministrisë së Shëndetësisë e ka bërë edhe njëherë të qartë se hapja selektive e aktiviteteve sportive është paraparë në fazën e tretë të hapjes graduale, fazë që nis më 1 qershor.

Por, Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka thënë se do të detyrohen t’i japin fund sezonit nëse nuk lejohet vazhdimi i aktiviteteve të futbollit gjatë këtij muaji.

Edhe pse nuk ka ndonjë vendim të prerë, Federata është vënë në presion nga klubet se kush do ta përfaqësojë Kosovën në kualifikimet e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës. Kosova, në edicionin e ri e ka fituar të drejtën për herë të parë të përfaqësimit me tri klube në Evropë, një në “Champions League” dhe dy në Ligën e Evropës.

Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka thënë se çfarëdo vendimi që do të merret, përveç vazhdimit të kampionatit, do të ngjallë pakënaqësi. Megjithatë, ka thënë se do të jetë më lehtë për emrat që do t’i dërgojë në UEFA, meqë ka thënë se faza e rregullt e kampionatit ka përfunduar.

“Nuk do të jetë proces i lehtë dhe nuk do të dalin të gjitha palët të kënaqura. Por, ne e kemi më lehtë për shkak se e kemi kryer fazën e rregullt të këtij edicioni. Do ta kemi më lehtë për ta vendosur”, pati thënë Salihu javën e shkuar për emisionin sportiv të KTV-së, “Sporti Total”.

 FC Prishtina: Prishtina e ka të siguruar Evropën

UEFA u ka dhënë federatave nacionale afat deri më datën 25 maj për të njoftuar për planet e tyre rreth rifillimit të kampionateve vendore, që duhet të përfundojnë deri më 20 korrik.

Në Superligën e Kosovës janë zhvilluar dy fazat e para, derisa kanë mbetur edhe 11 xhirot e fazës së fundit. Janë edhe ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Kosovës. Në gjysmëfinale janë Prishtina – Drenica dhe Ballkani – Feronikeli.

Në fakt, FFK-ja po kërkon që ekipeve t’u lejohet stërvitja në grupe që nga java e ardhshme, e më pas të rifillojnë edhe me gara nga 24 maji.

Por, në përgjigjen e MSH-së nuk tregojnë se cilat aktivitete sportive mund të zhvillohen pas 1 qershorit.

“Rivlerësimi do të bëhet gjatë fazës së dytë dhe të tretë të hapjes dhe, varësisht nga situata epidemiologjike, do të specifikohen edhe aktivitetet që mund të zhvillohen”, është thënë ndër të tjerash në përgjigjen e MSH-së.

Në klubin Prishtina, por edhe klubet tjera, shpresojnë në rifillim të edicionit të pezulluar.

Por, Prishtina vlerëson se asaj do t’i takonte dalja në Evropë nëse kampionati më nuk vazhdon. Madje, insistojnë se çdo vendim ndryshe do të ishte shkelje e Propozicioneve të Garave dhe shkelje e vendimit të marrë nga KE e FFK-së.

Prishtina, pas 22 xhirove, është në pozitën e katërt me 41 pikë sa ka edhe Gjilani. Prishtina ka bilanc të ndërsjellë pozitiv kundër Gjilanit, me një fitore dhe një barazim.

“Nëse FFK i shpall garat të përfunduara, atëherë në fuqi hyn neni 65 i Propozicioneve të Garave, ku në rast të pikëve të barabarta vendos rezultati dhe gol-dallimi i ndeshjeve të ndërsjella, si në rastet kur shpallet ekipi kampion, dalja në Evropë, rënia nga liga apo shkuarja në barazh.