Sport

Sokoli: Dëmtimi i sportit nga pandemia është i madh, por jo i pariparueshëm

Descriptive Text

Trajneri i mirënjohur i futbollit dhe profesori i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit (FEFS) në Universitetin e Prishtinës, Bylbyl Sokoli, ka pranuar se përhapja e pandemisë së koronavirusit edhe në Kosovë, jo vetëm që ka prekur sportin kosovar në përgjithësi, por edhe e ka dëmtuar. Megjithatë, ai thotë se ky dëm sado që është i madh, nuk është edhe i pariparueshëm.

Sipas Sokolit, sportet olimpike janë ndër më të dëmtuarat dhe sportistët që ishin përgatitur për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” që është shtyrë për vitin tjetër. Por, Sokoli ka thënë se është dëmtuar edhe futbolli, i cili është sporti më masiv. Ai ka thënë se futbolli dihet se varet nga donatorët që shkaku i koronavirusit janë detyruar të ndalin veprimtarinë e tyre dhe se pakoja emergjente e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për klubet ka qenë më se e mirëseardhur, shkruan KOHA.

Edhe Sokoli përkrah idenë e UEFA-s për rifillimin e garave, por shton se masat parandaluese duhet të jenë të rrepta – pa shikues, me kontrollime, testime – të pjesëmarrësve në një ndeshje, por edhe dezinfektimin e rregullt të stadiumeve.

Futbollistëve do t’iu nevojitën rreth dy javë përgatitje të përbashkëta për të qenë të gatshëm për rifillimin e garave derisa nuk do të jenë edhe aq të rrezikuar nga lëndimet pas pushimit të detyrueshëm që nga 13 marsi kur u pezulluan aktivitetet sportive në Kosovë, sipas Sokolit. Ai nuk beson se shkaku i pandemisë, klubet e ndryshme sportive do të shuhen në Kosovë, pasi shton se sporti kosovar gjithmonë ka pasur njerëz të vullnetit të mirë.

Ndërsa, sa i përket Qeverisë së Kosovës, Sokoli thotë se ajo duhet të dalë me një plan për rimëkëmbjen e sportit, duke pasur parasysh se shteti ynë ka sportistë që pritet vitin e ardhshëm ta përfaqësojnë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.