Sport

Martinez, sulmuesi që gati e la karrierën në futboll për shkak të basketbollit

Foto: Reuters

Prej Hernan Crespos te Diego Milito dhe Mauro Icardi, Interi gjithmonë ka pasur një sulmues argjentinas që ishte i rëndësishëm për ekipin. Dhe, aktualisht lojtari me fanellën numër dhjetë, Lautaro Martinez duket se është më i miri prej të gjithë sulmuesve argjentinas që ishin pjesë e skuadrës së Interit.

I shpejtë, i fortë, i guximshëm dhe efektiv si në ajër ashtu edhe në tokë, Lautaro – që njihet më shumë me emër sesa mbiemrin Martinez - ka potencialin të jetë një nga sulmuesit më të mirë të brezit të tij, transmeton KOHA shkrimin e Daily Mail.

Kur futbolli më në fund do të dalë nga pandemia e koronavirusit, tifozët do të kërkojnë heronj për të udhëhequr sportin jashtë krizës, dhe në moshën 22-vjeçare, Lautaro apo siç njihet me nofkën “El Toro” (Demi), është i vendosur në mënyrë të përsosur për t’i realizuar ato ëndrra.

Falë një paraqitjeje fantastike në humbjen e Interit 2:1 në Barcelonë në kuadër të Ligës së Kampionëve në muajin tetor, Lautaro vlerësohet aq lart në “Nou Camp” sa Luis Suarez - njeriu që ai mund të zëvendësojë një ditë – ka vetëm komplimente për argjentinasin. Në mënyrë të ngjashme, edhe bashkatdhetari i Lautaros, Lionel Messi, mendohet të jetë një tifoz i madh i tij.

“Lautaro Martinez është zhvilluar jashtëzakonisht shumë si futbollist në Itali. Ai është një sulmues special me lëvizje fantastike”, ka pranuar uruguaiani Suarez në një intervistë për “Mundo Deportivo”.

Klauzola e lirimit të Lautaros mendohet të jetë mbi 100 milionë euro, por pas përhapjes së pandemisë së koronavirusit, që pezulloi futbollin ky çmim mund të ulet. Megjithatë, Interi nuk do të heqë lehtë dorë nga Lautaro që tashmë po kërkohet nga të gjitha skuadrat e mëdha të Evropës.

Zhvillimi i Lautaros është edhe më mbresëlënës kur merret parasysh fakti se ai kur iu bashkua Interit kishte më pak se tre vjet përvojë si senior, dhe aspak përvojë në futbollin e Evropës.

Në fakt, në moshën 15-vjeçare, Lautaro ishte më afër që t’i përkushtohet basketbollit sesa karrierës në futboll. Megjithatë, në fund, Lautaro iu përkushtua futbollit edhe pse ende përcjell basketbollin.