Sport

Ligën e përbashkët të basketbollit mediat serbe e vlerësojnë “skandaloze”

Të premten mediat serbe kanë raportuar për idenë e themelimit të ligës së basketbollit me skuadrat nga Kosova dhe Shqipëria.

Radio Televizioni i Serbisë ka cituar kryetarin e FBK-së, Arben Fetahu, që ka dhënë informata lidhur me idenë e krijimit të ligës së basketbollit. Ideja është që në këtë ligë të ftohen edhe ekipet e Maqedonisë së Veriut, ndërsa synim është të fillohet në vjeshtë.

Gjatë ditës media të ndryshme beogradase i kanë dhënë ngjyrë politike idesë që pritet të shërbejë për ngritjen e cilësisë së basketbollit si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, e ndoshta edhe në Maqedoni Veriore.

“Skandal i ri në horizont: Prishtina e Tirana bëjnë gati ligën e përbashkët të basketbollit”, është titulli i shkrimit të gazetës “Veçerenje Novosti”.

“Skandal: Shteti i rremë i Kosovës po bën ligë të përbashkët me Shqipërinë”, është titulli i “alo.rs”.

“Liga e Shqipërisë së Madhe që në vjeshtë. Marrëveshje e turpshme e Prishtinës dhe Tiranës. Kjo është e papranueshme”, shkruan “Srbija Danas”.

Sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku ka thënë për Koha.net se liga do të startojë në tetor.

“Në mbledhjen e ardhshme Bordi i FBK-së do të përcaktojë ekipet pjesëmarrese nga Kosova. Liga do të shërbejë për të ngritur cilësinë e basketbollit”, ka thënë Dushku.