Sport

Finalja e Kupës së Spanjës do të luhet me shikues në stadium

Federata e Futbollit të Spanjës (RFEF) ka thënë se do të aprovojë kërkesën e Athletic Bilbaos dhe Real Sociedadit për të caktuar termin të ri të finales së shtyrë të Copa del Rey. Federata ka thënë se do të caktojë terminin për kohën kur koronavirusi nuk është më kërcënim, në mënyrë që ndeshja të luhet me praninë e shikuesve.

Finalja e parë në mes të dy ekipeve prestigjioze baske është dashur të luhet më 18 prill në Sevilla. Por të gjitha ndeshjet e futbollit janë shtyrë në mars për shkak të Covid – 19.

Përgjegjësit janë optimistë që stinori në La Liga mund të vazhdojë në mes të qershorit, por pa praninë e shikuesve në stadiume. Tifozët mund të mos kthehen në stadiume deri në vitin 2021.

Por finalistët e Kupës nuk duan që ndeshja prestigjioze të luhet në stadium të zbrazët dhe kanë vullnet që të presin aq sa kërkohet në mënyrë që tifozët e tyre të shijojnë finalen.

“Presidentët e klubeve finaliste, Athletic Bilbao dhe Real Sociedad, pas takimit me presidentin e Federatës spanjolle, janë pajtuar që të kërkojnë që finalja të luhet me tifozë në një datë të mëvonshme, për të cilën do të pajtohen të tri palët”, kanë njoftuar klubet.

“Të dy klubet gjithnjë kanë dëshiruar që tifozët të jenë në gjendje të shikojnë ndeshjen. Ajo që duam më shumë është që të kemi një finale të Kupës me shikues në tribuna”.

Federata ka thënë se është pajtuar me gjithë zemër me kërkesën e klubeve që tifozët të jenë në stadium.

“Trofeu me prestigjin më të madh dhe me traditën më të gjatë në Spanjë, meriton një finale me tifozë”, thuhet në komunikatë. “Për këtë RFEF është falënderuese për vendimin e dy klubeve dhe do të marr të gjitha masat e nevojshme që të siguroj që finalja të zhvillohet si një garë zyrtare në momentin e duhur në vitin 2020 apo 2021 dhe para finales së vitit 2021”.