Sport

Federata e Xhudos prezanton planin për kthim në stërvitje

Federata e Xhudos së Kosovës do të punojë në ditët e ardhshme për të detajuar planin për kthim të klubeve në stërvitje. Klubet do të vazhdojnë stërvitjet më 18 maj, ka njoftuar Driton Kuka, drejtor sportiv i FXHK-së.

Prej 18 majit deri më 2 qershor klubet do të ushtrojnë në ambiente të hapura, pra jo në palestra.

“Numri i garuesve do të jetë deri në dhjetë. Stërvitjet do të jenë vetëm me një trajner, ndërsa grupet nuk do të ndryshojnë. Stërvitjet do të jenë pa kontakt, ndërsa do të respektohet distancimi social”, ka njoftuar Kuka përmes një postimi.

Plani i Federatës është që prej 2 qershorit klubet të kthehen në palestra. Në fakt Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar ditë më parë se aktivitetet sportive pritet të lejohen prej qershorit.

Sipas Kukës edhe në palestra numri i garuesve do të jetë deri në dhjetë. Partnerët e stërvitjeve nuk do të ndryshohen e po ashtu anëtarët e grupit. Lehtësime tjera parashikohen ndërkohë, varësisht nga situata.

Në mes seancave stërvitore parashikohet gjysmë ore pushim, për dezinfektim të hapësirës.

“Kjo formë do të ringjallte klubet sepse pauza shumë e gjatë mund të reflektoj negativisht deri në humbjen e garuesve por edhe mbyllje të klubeve. Është me rëndësi të avancojmë përpara me strategji për dalje nga situata e krijuar”, ka thënë Kuka, raporton Koha.net.

Ekipi olimpik i Kosovës në xhudo nuk i ka ndërprerë fare stërvitjet. Por ekipi ka qëndruar i izoluar në palestrën në Pejë, duke shmangur maksimalisht kontaktin me personat tjerë.

"Është e domosdoshme të fillohet diçka deri më 18 maj, të paktën në ambient të hapur", ka thënë Kuka për Koha.net.