Sport

Cabanas, trajneri spanjoll që udhëheq Besën nga shtëpia

Descriptive Text

Erdhi në Kosovë, por mbeti i bllokuar në qytetin e Pejës. Nënshkroi kontratë me ekipin e hendbollit, Besa Famgas, por nuk e ka udhëhequr ekipin kampion të Kosovës në asnjë ndeshje. E gjithë kjo për shkak të përhapjes së koronavirusit dhe pezullimit të aktiviteteve sportive në vend.

Kjo është historia e trajnerit spanjoll Javier Cabanas në Kosovë. Ai kishte ardhur me synime të mëdha në Kosovë, shtetin që nuk e njeh vendi i tij, Spanja. Këtë rrugë thotë se e mori për të përjetuar një aventurë të re pas shumë vjetëve të kaluar në Spanjë. Por, ai është duke e udhëhequr ekipin e Besës nga shtëpia në Pejë, shkruan KOHA.

“Besa Famgas më kontaktoi, kam ardhur në muajin shkurt për t’u njoftuar me qytetin e klubin, dhe dukej eksperiencë e mirë në një shtet tjetër me kulturë dhe hendboll krejtësisht ndryshe”, thotë Cabanas.

Javier Cabanas u prezantua si trajner i kampiones së Kosovës në hendboll më 10 mars, por nuk e ka drejtuar asnjëherë ekipin në ndeshje zyrtare. Ka mbetur i bllokuar në Kosovë për shkak të përhapjes së pandemisë së koronavirusit. Në fakt, vetëm tri ditë pas prezantimit të Cabanasit, Qeveria e Kosovës mori vendim për pezullimin e aktiviteteve sportive pas rasteve të parë të prekura me koronavirus.

Pasi nuk mund të dalë jashtë shtëpisë, Cabanas thotë se sheh video me hendboll, filma, por edhe lajme nga Spanja dhe Kosova.

“Jam në kontakt të vazhdueshëm me lojtarët. Për pesë ditë në javë ne ushtrojmë nga shtëpitë tona nëpërmjet aplikacionit ‘Zoom’, për ta mbajtur formën fizike”, shtoi ai.

Cabanas ka nënvizuar se nuk ka pasur shumë informacione për shtetin, i cili është në rritje në çdo aspekt, përfshirë këtu edhe hendbollin. Dhe, ai këtu ka ardhur për një qëllim, ta ndihmojë këtë sport falë përvojës që e ka.