Sport

Arsyetimi i KOK-ut për vendet e fundit të skitareve: pista e akullt

Në dy pozitat e fundit janë renditur skitaret kosovare në ditën e parë të Festivalit Evropian Olimpik Dimëror për të Rinj (EYOWF) që të hënën nisi në Erzurum të Turqisë.

Të hënën në ngjarjen evropiane për sportistët prej 14 deri në 18 vjeç garuan Lyra Hoxha dhe Adea Haxhiduati në sllallom të madh të skijimit alpin. Nga dy lëshime i patën skitaret e reja. Në fund Lyra Hoxha (16) u rendit e 50-ta me kohë të përgjithshme prej 3:06.38 minutash. Ajo mbeti prapa fitueses për plot 53.76 sekonda, shkruan sot Koha Ditore.

Adea Haxhidauti (17) u rendit e 51-ta apo e fundit prej skitareve që përfunduan shtegun. Koha e përgjithshme e saj ishte 3:36.05 minuta apo 1:23.43 minuta më e ngadaltë se e ruses Rinata Abdulkaiumova që fitoi medaljen e artë. Në lëshimin e dytë u diskualifikua vetëm një garuese.

Në lëshimin e parë garën e përfunduan pesë garuese me Hoxhën e Haxhidautin si të fundit. Katër skitare, sipas të dhënave zyrtare, nuk e përfunduan garën, ndërsa një u diskualifikua. Pas lëshimit të parë Hoxha mbeti 27.38 sekonda prapa lideres, ndërsa Haxhidauti ishte më e ngadaltë se liderja për 40.20 sekonda. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).