Sport

Ibrahimoviqi shënon gol në Suedi dhe flet për të ardhmen te Milani

Sulmuesi Zlatan Ibrahimoviq vazhdon me shënimin e golave. Ai të premten realizoi në një ndeshje stërvitore të klubit suedez Hammarby, te i cili ka në pronësi 25 për qind të aksioneve.

Sulmuesi i Milanit është i izoluar në Suedi gjatë krizës së koronavirusit, por së fundi ka stërvitur me Hammarbyn për të mbajtur formën.

Pasi ka blerë aksione te Hammarby, Ibrahimoviqit i janë hapur telashe në Malmo, ku ai nisi karrierën. Huliganët dëmtuan shtatoren e Ibrahimoviqit në Malmo.

Ndeshja kontrolluese e së premtes është transmetuar në televizion ndërsa në të janë paraqitur lojtarë të Hammarbyt, Bajansit dhe IK Frejit, të ndarë në dy ekipe. Milani i ka dhënë Ibrahimoviqit leje që të paraqitet në këtë ndeshje.

Ibrahimoviq pritet të qëndrojë në Suedi deri atëherë kur të bëhet e qartë se do të vazhdojë gara në Serie A. Sulmuesi i njohur ka kontratë me Milanin deri në verë, por 38-vjeçari nuk e ka ndërmend të pensionohet.

“Kam kontratë dhe do të shohim si do të përfundoj edicioni, nëse do të përfundoj”, ka thënë Zlatani të premten. “Unë dua të luaj sa më gjatë të jetë e mundur, por ju asnjëherë nuk e dini çka do të ndodhë. Unë dua të luaj vetëm nëse mund të jap kontribut dhe jo për atë që kam bërë në karrierë apo për atë që jam bërë tani. Nëse nënshkruaj me një klub atëherë duhet të jem në gjendje të mirë për të luajtur. Të shohim çka do të ndodhë”.