Sport

Cassano pendohet që nuk e shfrytëzoi rastin te Real Madridi

Antonio Cassano është penduar se nuk ka shfrytëzuar rastin që e pati te Real Madridi. Ai thotë se mund të llogaritet si talenti më i madh i quar dëm.

Cassano kishte dal nga akademia e Barit para se të transferohej te Roma në verën e vitit 2001, duke u bërë tandem me Francesco Tottin. Në janar të vitit 2006 erdhi transferimi i tij te Real Madridi, ku u bë bashkëlojtarë me emra si Zinedine Zidane e Ronaldo.

“Pendesa më e madhe është se nuk kam shfrytëzuar në maksimum rastin për të luajtur për klubin më të madh në histori, rast që më erdhi në moshën 23-vjeçare. Kisha bashkëlojtarë si Zinedine Zidane e Ronaldo. Hodha një mundësi të madhe te Real Madridi. Unë në parim po zëvendësoja Luis Figon e Michael Owenin, kështu që isha i mirë, por shkaktova një katastrofë pas tjetrës. Fabio Capello erdhi te Real Madridit më pas. Unë humba 16 kilogramë në stërvitje, shënova dy gola në tri ndeshje dhe ai më la në bankinë në ndeshjen e katërt. E humba kontrollin, dhe kur nuk e respekton Capellon, ai të largon. Ai më dha edhe një rast edhe përkundër kësaj. Ai bëri shumë për mua, por unë bëra shumë pak për të”, ka thënë Cassano për “Sky Sport Italia”.

“Unë jam talenti më i madh që ka hedhur çdo gjë, pasi vërtetë e hodha talentin që kisha. Është një gjë të ndryshosh, një tjetër të mos duash të stërvitesh, të fyesh të gjithë dhe të fillosh të debatosh nga mëngjesi deri në mbrëmje. Unë vërtetë kalova vijën shumë herë. Fëmijët të ndryshojnë. Po të kisha fëmijët në moshën 20-vjeçare, do t’u jepja atyre mësime të gabuara. Jam përmirësuar tash dhe kjo është kryesisht fal bashkëshortes sime. Jam shumë krenar të kem atë përkrah”.

Pas Real Madridit ai u transferua te Sampdoria, ku thotë se e kishte përvojën më të mirë në karrierë. Karrierën Cassano e ka përfunduar në dhjetor të vitit 2018.

“Përvoja më e mirë në karrierën time ishte te Sampdoria. Po vija pas 18 muajve të errët te Real Madridi, por e rizbulova veten dhe bëra diçka të jashtëzakonshme te Sampdoria. Përfunduam në vend të katërt në Serie A dhe arritëm në finale të Kupës së Italisë, me një skuadër mesatare. Po ashtu takova bashkëshorten time gjatë kësaj përvoje dhe përgjithmonë do të mbetem në Genoa”, ka thënë Cassano, duke pranuar se kishte plane të pranonte pozitë tjetër te Sampdoria pas pensionimit.

 

Image