Sport

Ministri gjerman i shëndetësisë i hapur për rifillim të futbollit, por pa tifozë

Descriptive Text

Ministri i shëndetësisë i Gjermanisë, Jens Spahn, është i hapur për rikthimin e ndeshjeve të Bundesligës në futboll, por me kusht që të luhen pa shikues, ka thënë ai të mërkurën para se të merret një vendim nga zyrtarët të enjten, njofton agjencia Reuters.

Jens Spahn, duke kuptuar se “ndeshjet fantazmë” janë të rëndësishme për miliona tifozë të futbollit, ka thënë se faktori kryesor për rikthimin e futbollit është që shëndeti i lojtarëve të mos rrezikohet.

“Nëse kjo mund të arrihet me rrezik të zvogëluar, apo pa rrezik, atëherë sigurisht se mund të bëhet”, ka thënë Spahn.

Bundesliga është pezulluar që nga mesi i marsit për shkak të koronavirusit, që ka infektuar më tepër se 145 mijë persona në Gjermani e shkaku i të cilit kanë vdekur mbi 4800 persona.


Klubet gjermane dhe Liga e Futbollit Gjerman (DFL) do të takohen të enjten për të vendosur se sa gjatë duhet të shtyhet pezullimi. Liga është e pezulluar deri më 30 prill.

Po raportohet se ndeshjet e Bundesligës pritet të nisin nga 9 maji.