Sport

Liga e Zvicrës dorëzon planin për rifillimin e ndeshjeve

Liga e futbollit të Zvicrës (SFL) ka dorëzuar te qeveria një plan të detajuar, të përgatitur në bashkëpunim me ekspertët e shëndetësisë, për një rifillim të mundshëm të stërvitjeve dhe ndeshjeve, shkruan agjencia Reuters.

Qeveria e Zvicrës javën e kaluar njoftoi një përfundim gradual të kufizimeve që ishin vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, duke filluar nga 27 prilli.

Kjo ka rritur shpresat për vazhdimin e stinorit në futboll, që është pezulluar më 2 mars.

Futbolli në Evropë aktualisht është pezulluar, ndonëse klubet në shtetet fqinje të Zvicrës, Gjermani e Austri kanë rinisur stërvitjet nën rregulla strikte të mbajtjes së distancës sociale, ndërsa po përgatiten për vazhdimin e stinorit.

SFL ka thënë në një komunikatë se rifillimi i kampionatit, edhe me ndeshje pa shikues, mund të jetë shenjë pozitive për shtetin në përgjithësi, por po ashtu është edhe i nevojshëm për të parandaluar kolapsin financiar të futbollit zviceran.

“Me rikthimin e ndeshjeve pa shikues, nën masa rigoroze, futbolli dëshiron të dërgojë një mesazh se është e mundur të kthehet te diçka e përafërt me normalitetin sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo është mënyra e vetme për të shpëtuar futbollin profesionist zviceran në formën aktuale, në të njëjtën kohë edhe duke u përmbajtur kërkesave të rëndësishme për mbrojtje të lojtarëve dhe popullatës”, është thënë në komunikatë të SFL-së.

SFL, që është koordinuar me Institutin për Sëmundje Infektive (IFIK) te Universiteti i Bernit, ka thënë se plani përmban “skenarët e mundshëm për rikthimin e stërvitjeve dhe organizimin e ndeshjeve pa shikues dhe synon të shërbejë si bazë për një vendim nga autoritetet e futbollit profesionist.”